Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, kryeministri Edi Rama së bashku me ministren Nikolla takuan paraditen e së premtes mësuesit e portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se ka ikur koha e hakmarrjeve për bindjet politike dhe u shpreh se mes mësuesve në këtë takim ishte dhe një ‘kundërshtare’ e tij që kishte bërë çmos që ai mos të fitonte zgjedhjet për kryetar bashkie.
Pavarësisht këtij fakti tha Rama, askush nuk e hoqi nga puna këtë mësuese që punon me devotshmëri.
“Më kujtohet një mësues që u thoshte nxënësve Ismail Kadare ngriti flamurin në Vlorë. S’ka qenë 100 vite më parë, pro vetëm para disa viteve. Qesha me ministren se këtu doli një mësuese që nuk ka lënë gjë që unë mos të fitoja si kryetar i bashkisë. Por ç’rëndësi ka kjo. Ajo është një mësuese që u jep nxënësve atë që duhet. Si ka mundësi që nuk bien edhe në kurthin e hakmarrjes që ramë në çerekshekullin e kaluar, që të degdiseshe në një shkollë tjetër. Vetëm për arsyen e mosarsyes politike”, tha Rama.
Në këtë takim, kreu i qeverisë shpjegoi pse librat falas duhen kthyer në fund të vitit.
“Duhet të shpjegohet pse i duam mbrapsht librat në fund të vitit. Se kam dëgjuar komente të tipit “pse fëmija nuk mund ta hajë librin?” Pse stresohet fëmija nëse i thuhet ta trajtojë librin si mikun më të mirë? Prindërit i mundon ideja që libri nuk duhet prishur. Prishja e librit i duket liri, ruajtja e tij i duket diktaturë. Nuk është çështje lekësh. Suedia, vendi më social në botë, i jep falas dhe i kërkon në fund të vitit. Pse? Nuk ka lekë apo e ka me hile? Jo, është raporti me librin, dashuria për librin, respekti për atë objekt që është ndryshe nga të tjerët”, shpjegoi Rama.
Më pas, pati edhe një njoftim të rëndësishëm në prag të këtij viti shkollor.
“Ky vit do të jetë viti i një epoke të re në raport me celularin në shkollë. Nuk do lejojmë celularë në shkollë, as për fëmijët dhe as për mësuesit. Mësuesit do të duhen t’i dorëzojnë në fillim të mësimit dhe t’i marrin në fund të mësimit”, u shpreh kryeministri.
Një mesazh në këtë fillimviti shkollor pati edhe ministrja Nikolla. Teksa solli në vëmendje punën e bërë në këtë sektor, Nikolla tha se ka ende për t’u bërë. Ndërkohë tha se këtë vit 400 mijë nxënës do të mësojnë me kurrikulën e re.
“Lëndët me zgjedhje në gjimnaze ishin një makth. Po përmbyllim reformën në gjimnaze. Transformuam tërësisht sistemin e kualifikimit. Janë trajnuar mbi 20 mijë mësues. E kam ndier shpesh peshën e kritikave. Çdo nismë e Ministrisë etiketohej si skandal. Ne përafruam tekstet me standardet e BE. Ka një shndërrim rrënjësor kurrikular, pasi më parë programet ishin tmerrësisht të ngarkuara”, tha ndër të tjera Nikolla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.