Politike

Rama iu përgjigjet sulmeve për Asociacionin: Kanë frikë vetëm nga një gjë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj sulmeve që janë bërë në adresë të tij sa i përket draftit për krijimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në rrjetet sociale kryeministri replikon ndaj zërave kundër, duke theksuar se kanë vetëm një frikë që të mos e humbasin armikun.

"Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-Statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore, ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur!”, shkruan kreu i qeverisë.

Drafti i paraqitur, por i mbajtur ende sekret është pritur me reagime pro e kundër në Kosovë.

Ndërsa vetë kryeministri Albin Kurti nuk ka preferuar të japë një qëndrim. Sulme pati edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha që e cilësoi draftin si të hartuar nga Beogradi, e konkretisht nga vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ndërkohë që Rama ka folur sërish dhe për arsyet se pse nuk ia tregoi draftin e Asociacionit paraprakisht edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, por preferoi ta dërgonte udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës.

Në një intervistë për gazetën “Nacionale”,  Rama shprehet se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë vëllezër, por kanë shtete të ndryshme.

“Jo. Unë dua të jem shumë fer (i pastër) dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka theksuar se Serbia nuk mund të bëj luftë me SHBA-të.

“Kjo është gjeja e fundit që unë imagjinoj. Ka një fjalë që thotë kurrë mos thuaj kurrë, por unë dua të them kurrë. Për faktin se kush do luftojë në Kosovë? Do luftojë Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë. Sa për dijeni të atyre që kanë harru, Kosova nuk është ende tërësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të terë të huaj në territorin e vet, dhe për sa kohë nuk është e njohur ndërkombeetarisht nga të gjithë. Kështu që, çfarë do të bëj Serbia, do të sulmojë Amerikën?”, është shprehur Rama.

Për krizën e shkaktuar në veri dhe për zgjidhjen e saj, kryeministri është shprehur se shteti shqiptar është në një linjë me SHBA-në dhe BE-në.

“Shqipëria në këtë rast, është tërësisht në një linjë me SHBA-të dhe BE-në, me Francën dhe Gjermaninë, me qëndrimin e asaj që po bëjnë autoritet e Kosovës. Shqipëria kontributin e saj saj nuk mund ta jap në këtë proces, përveçse duke qenë shumë etike në raport me aleatët dhe pozicionin e vet. Nuk mundet dot që ne të bëjmë një rol të hedhim gurin dhe te fshehim dorën. Në sensin që t`i konsultojmë këto gjera përpara dhe pastaj të bëjmë sikur nuk kemi konsultuar”, është shprehur Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë