Për kryeministrin Edi Rama pavarësisht qëndrimeve përjashtuese dhe për bojkote, opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet dhe pse ka theksuar se opozita ka ndryshuar strategji duke hequr dorë nga teza "o ik, o s'ka".
“Ajo që ka ndodhur vjet ka qenë një grahmë e madhe e fundit e një politike, e cila tek bojkoti, shantazhi, braktisja e tavolinës, ka pasur një nga kuajt e vet të betejës. Nuk do ketë më parti politike që do ti hyjë një rrugë, që u provua që s’të nxjerr asgjëkundi. Ka qenë një përpjekje me idenë që do ia dalin të krijojnë një situatë pamundësie dhe të më detyrojnë mua të pranoj një zgjidhje çfarëdo qoftë, por kjo nuk ka ndodhur. Unë shpresoj që gjërat të ndryshojnë. Në këndvështrimin tim kanë filluar të ndryshojnë. Se me sa duket ka rënë teza që o ik o s’ka dhe s’kemi punë me institucionet dhe me procesin demokratik brenda institucioneve. Mendoj që opozita do marri pjesë në zgjedhje pavarësisht se kërkesën do e mbajë të shtruar”, tha kryeministri Rama, i ftuar në emisionin “Java”, në RTSH. Ndërsa u shpreh se është i gatshëm për të folur me opozitën edhe pse 2019 është viti i vetvrasjes politike dhe se ndaj tij nuk ecin kërcënimet.
"Unë nuk kam detyrë të ndihmoj opozitën të bëhet më e fortë as që të jetë më e gatshme për të fituar zgjedhjet. Kam detyrën që në këtë sfidë me opozitën të bëj atë që është e mundur që opozita të dobësohet, natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur pushtetin për ta tkurrur, intimiduar, për ta vendosur opozitën në pozitë të vështirë. Se opozita shkon drejt vetëvrasjes si rezultat i mungesës së një largpamësie strategjike, nuk më bën autor i kësaj vendimmarrje, dhe as më bën të ndihem i keqardhur. Kësaj opozite nëse i ka munguar diçka, s’ka qenë si rezultat i ushtrimit të pushtetit, por i ka munguar mendja për të pasur një skuadër dhe lidership të fortë", theksoi Rama.
Ai u shpreh se kjo opozitë ka pasur hapësirën më të madhe të komunikimit në Kuvend. Duke sjellë në vëmendje kohën kur drejtonte PS-në në opozitë, Rama tha se nuk iu dha kurrë mundësia nga Berisha për t’u ulur në dialog. “Gjuha e forcës nuk funksionon me mua” – tha Rama.
Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë pa kushte me opozitën për gjithçka, edhe pse nuk jemi të detyruar të biem dakord me të gjitha”, deklaroi Kryeministri. Rama tha se “edhe ne kemi bërë bojkot më parë, por kjo nuk na ka rritur mbështetjen e njerëzve”.
“Nuk besoj se politika e kërcitjes së dhëmbëve prodhon rezultate për ata që e gjenerojnë atë politikë, përveç kësaj i dëmton ata. Nëse nuk do të kishim humbur kohë me bojkote, do të kishim bërë më shumë, por unë them se këtu ka një problem të madh kulturor dhe të lidershipit të PD-së, është një dritëshkurtësi, iluzion”, tha Rama.
I pyetur mbi qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimet politike gjatë vitit 2019, Rama tha se “as unë, as ne në grupin e ngushtë drejtues të PS-së dhe asnjë nga partnerët ndërkombëtarë nuk e ka eksploruar opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve”.
“Partnerët kanë qenë të palëkundur. Rrallë e mbaj mend të mos kenë pasur as tundimin, ‘hajde ta diskutojmë edhe këtë variant’. Në këndvështrimin e tyre dhe tonin ishte e njëjta qasje: nëse hapet një herë kjo rrugë, kjo rrugë nuk mbyllet kurrë. Ndërkombëtarët kishin leximin që kjo është një çmenduri, nuk mund të tolerohet se përbën një precedent që shthur gjithë normalitetin demokratik”, tha Rama.
Ndërsa ka bërë të ditur edhe kohën se kur ka folur për herë të fundit me Bashën. Komunikimin e fundit e ka pasur në Parlament, ndërsa në tragjedinë e 26 nëntorit i ka dërguar një mesazh për të qenë bashkë në këtë situatë.
Në ditët pas tërmetit i kam çuar një mesazh për t'i sugjeruar që të jemi bashkë, dhe kaq. Para këtij momenti komunikimi i fundit ka qenë kur PD ka qenë ende në parlament", tha Rama.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë të gjitha akuzat për kapje të sistemit të drejtësisë së re nga mazhoranca.
"Nëse ne do të kishim pasur tendenca kapje të sistemit të ri të drejtësisë nuk do të ishte e mundur që ata që e kanë sponsorizuar politikisht dhe financiarisht të mos kishin ngritur zërin, SHBA, o ne i kemi kapur të gjitha edhe drejtësinë edhe Amerikën edhe Europën, ose këtu ka diçka që nuk shkon në logjikë", tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.