Politike

Rama ironizon akuzat e opozitës: Si mund të negociojë BE-ja me një vend ‘narko’?! 

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Shkodër, tha se nëse Shqipëria do të ishte në gjendjen që përshkruajnë kundërshtarët e tij, atëherë vendi nuk do të ishte as pranë tryezës së bisedimeve me Brukselin.

“Nëse ne nuk do kishim bërë këto që kemi bërë dhe Shqipëria do ishte jo 100%, por 25% e ngjashme siç e përshkruan këneta, ne nuk do ishim në tryezë me BE për të negociuar anëtarësimit.

BE ka vizionin e vetë, strategjinë e vetë, por BE kur vjen puna te negociata nuk merret me politikë, por me e bëre se bërë, e ke, se ke, po e lufton korrupsionin apo jo, reformat, si po i bën…,” tha Rama.

Ai theksoi se negociatat me BE-në nuk janë çështje politike, por një proces që përfshin mbi 250 mijë faqe dokumentacion dhe rreth 1000 punonjës shqiptarë nga institucionet kyçe të shtetit, të angazhuar në 40 grupe pune.

“Ata kanë një skuadër të super stazhonuar burokratësh që merren 24/7 me të gjitha vendet që duan të hyjnë atje, vendet mbikëqyren, ata merren me çdo detaj, studiojnë çdo sektor,” shtoi ai.

Rama ironizoi akuzat për “narko-shtet” dhe theksoi se një vend që sipas opozitës nuk ka ujë e drita, nuk mund të ishte në negociata me BE-në.

“Si mund të negociojnë ata me një vend që është ‘narko’. Me një vend që s’ka drita, s’ka bukë… Normalisht që ne kemi probleme, por këto janë probleme më të reduktuara sesa kanë qenë”, shtoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë