Lajme

Rama i premton Maqedonisë port në Durrës?

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka lënë pa fjalë një pjesë të mirë të investitorëve maqedonas, të martën, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama i ka premtuar dalje në Detin Adriatik, duke i dhënë një port në Durrës. Ai ka bërë të ditur se Shqipëria do t’i japë Maqedonisë mundësinë për një port në Durrës, i cili do të shfrytëzohet nga kompanitë maqedonase për shkëmbim tregtar.

Deklarata e Zaev erdhi gjatë një aktiviteti të organizuar në Odën Ekonomike të Maqedonisë, ku deklaroi ndër të tjera se në portin e ri do të valëvitet edhe flamuri i Maqedonisë.  Madje kryeministri i Maqedonisë tha se pas atij në Durrës, Shkupi do të hapte një port edhe në Bullgari.

“Ja për shembull, kryeministri i Shqipërisë na ka garantuar se do të na japë një port në Durrës, ku do të valëvitet flamuri maqedonas. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve që portet ofrojnë për kompanitë e Maqedonisë. Një tjetër çështje është që të lidhemi me Bullgarinë, përmes Detit të Zi dhe besoj se kjo do të ndikojë shumë në konkurrencën e çmimeve, ofrimin e kushteve më të mira për shfrytëzimin e porteve”, deklaroi Zaev.

Por ndërkohë që deklarata e Zaev ka bërë bujë të jashtëzakonshme në mediat maqedonase, qeveria shqiptare nuk ka komentuar ende mbi këtë çështje. Përdorimi i portit të Durrësit, është konsideruar prej kohësh si një mundësi e artë, nga bizneset maqedonase, për shkak të pengesave nga autoritetet greke dhe mosmarrëveshjes së emrit. Durrësi është porti i dytë më i afërt, nga i cili mund të përfitojnë investitorët maqedonas, të cilat i kryejnë aktualisht tre të katërtat shkëmbimeve tregtare nëpërmjet portit të Selanikut.

Kryeministratt Edi Rama dhe Zoran Zaev

Sidoqoftë, distanca e gjatë dhe infrastruktura e dobët rreth Portit të Durrësit është parë prej kohësh si një pengesë nga Maqedonia. Megjithatë, qeveria Tirana dhe Shkupi planifikojnë prej kohësh ndërtimin e Korridorit VIII, në kuadër të një memorandumi të nënshkruar nga Infrastruktura Hekurudhore e Maqedonisë dhe Hekurudhat Shqiptare. Ky memorandum përcakton ndërtimin e një infrastrukture hekurudhore që do të kalojë përmes Kërçovës, Strugës, në Linit për të arritur më pas në Durrës.

Nga ana tjetër se Durrësi pret 3.5 milion ton mallra dhe rreth 750.000 udhëtarë çdo vit. Pavarësisht disa mosmarrëveshjeje rreth eksporteve, shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë rritur vazhdimisht përgjatë viteve të fundit. Sipas INSTAT-it, eksportet e Shqipërisë në Maqedoni u rritën me 21 për qind në 6.4 miliardë lekë në vitin 2015, ndërsa importet u rritën pak në 8.6 miliardë lekë. Stoku i investimeve maqedonase në Shqipëri u rrit me 25 milionë euro në 2017, sipas të dhënave të bankës qendrore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë