Politike

Rama i çon propozimin: Ahmetaj, ministër për Rindërtimin. Meta e dekreton menjëherë

Kryeministri Edi Rama rikthehen në qeveri Arben Ahmetajn. Pas një periudhe largimi si ministër i Financave në dhjetor 2018, Rama ka bërë të ditur se do t’i paraqesë kreut të shtetit propozimin për të emëruar Ahmetajn në postin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin. “Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruan Rama në postim në rrjetet sociale.

Propozimi i Ramës për emërimin e Ahmetajt si ministër i Shtetit. Gazeta Si, 13 dhjetor 2019


I mënjehershëm ka qenë edhe reagimi i Presidencës, që ndryshe nga herët e tjera ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pengesë për propozimin e kryeministrit. “Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin”, reagoi Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit.
Më herët Rama kishte propozuar Ahmetajn që të merrej me menaxhimin e fondeve për rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërsa pas dy javësh, ka menduar që ta rikthejë në qeveri dhe t’ia lërë në dorë procesin duke ia lënë mënyrë ekskluzive si detyrë.

Presidenti Meta më pas ka nxjerrë firmosur menjëherë propozimin kryeministrit Rama duke e dekretuar Arben Ahmetajn në postin e ministrit të Shtetit për rindërtimin. Meta gjithashtu ka nxjerrë edhe një dekret të dytë, duke përcaktuar se numri i anëtarëve të qeverisë është 17 gjithsej.
“Në dekretin nr. 10604, datë 10.09.2017 “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar, me dekretin nr. 11037, datë 05.01.2019, pas pikës 16, shtohet pika 17 me këtë përmbajtje: 17. Zoti Arben Ahmetaj, Ministër Shteti për Rindërtimin”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Faksimile e dekretit të presidentit Meta për emërimin e Ahmetajt si ministër


Reagimi i PD-së
Partia Demokratike reagoi nëpërmjet nënkryetarit të saj, Edi Paloka për vendimin e qeverisë për të caktuar Ahmetajn si ministër shteti për Rindërtimin. “Emërimi i Ahmetajt , treguesi më i qarte se ky kryeministër kërkon ta vjedhë këtë popull edhe në kulmin e fatkeqësisë! E kam thënë disa herë këto dite; gjithnjë në situata të veshtira e të jashtëzakonshme nxjerrin kokën spekulantë që përfitojne nga fatkeqësia. Kryesisht ata janë pazarxhinj pa shpirt që kur shohin që ka nevojë të shtuar për diçka menjëherë rrisin çmimet dhe pazarin ! Fatkeqësia jonë është se si kryespekulant kemi kryeministrin që i lë në hije ata që vjedhin qeset e ndihmave, apo rrisin qiratë e shtëpive për hallexhinjte…”, shkruan Paloka.
Ndërsa thekson se me këtë akt kryeministri tregon se “sot, Rama vërtetoi se i është “hapur zorra” dhe spekulimin nuk ka ndërmend ta lërë vetëm në rrafshin politik”.
“E mbani mend ; një nga thirrjet e para që bëri Rama ishte për të ndaluar sjelljen e ndihmave materiale dhe ofrimin e mjeteve monetare, parave, megjithëse njerëzit ishin në nevojë (janë dhe sot) për ushqime dhe mjete të tjera. Caktimi i Ahmetajt si personi që do të menaxhonte ndihmat financiare, ngjalli menjëherë reagim jo vetëm nga opozita. Ahmetaj është nga ish-ministrat më të akuzuar për korrupsion në një qeveri dhe administrate që vetëm pak dite më parë u shpall nga organizmat ndërkombetare si një nga qeveritë më të korruptuara në botë. Por kjo jo vetëm nuk e frenon Ramen po përkundrazi si në çdo rast tjetër, është kriter për ta emëruar Ahmetajn prapë ministër që do të menaxhojë paratë e ndihmave. E kjo ndodh pikërisht ditën që BE vendos për zhvillimin e konferencës së donatoreve”, thekson Paloka.

Ahmetaj ishte ministër edhe në mandatin e parë të Qeverisë “Rama”, duke mbajtur fillimisht postin e ministrit të Ekonomisë. Më pas, me largimin e Shkëlqim Canit si ministër i Financave, Rama e caktoi të menaxhonte  paratë e arkës së shtetit. Me fitimin e mandatit të dytë Ahmetaj u caktua ministër i Financave, duke mbajtur njëherësh edhe portofolin e Ekonomisë. Qeveria bëri një shkrirje të ministrive, duke bashkuar dy ministritë. Në dhjetor të të 2017, ai u largua nga qeveria duke u caktuar kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë