Sociale

Rama: Falen të gjitha gjobat dhe kthehen patentat e bllokuara

Gjatë një komunikimi online me qytetarët, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të falen të gjitha gjobat dhe kthehen pas të gjitha patentat e bllokuara gjatë periudhës së karantinës.
“Le të startojnë të gjithë të barabartë fazën e dytë të luftës”, tha Rama, duke theksuar se me dënimet e reja të parashikuara në Kodin Penal të ndryshuar së fundmi, nuk do ketë më tolerim për asnjë.
“Deri më sot janë ekzekutuar rreth 7000 gjoba për këmbësorë e rreth 1900 gjoba për shoferët me bllokim mjeti e heqje patente për 3 vjet. Ne sot kemi vendosur mos ekzekutimin e të gjithë këtyre gjobave e kthimin tek të gjobiturit të gjitha patentat dhe mjetet e bllokuara. Javën e ardhshme me hyrjen në fuqi të Kodit Penal të gjithë qytetarët le të startojnë të gjithë të barabartë kur hapja graduale do shoqërohet edhe me ndëshkimet shembullore për të cilat nuk do ketë më kthim pas, edhe ata që gabuan le të marrin të drejtën e le të startojnë të gjithë të barabartë fazën e dytë të luftës. Ama kush do dojë të jetë njish, do ta paguaje me të gjitha pasojat e rënda edhe penale që parashikohen me atë çka miratuam dje në Kuvend”, u shpreh kryeministri.
Liridalje për pensionistët

Prej kohësh janë të mbyllur në karantinë për shkak se janë kategoria më e rrezikuar për t’u infektuar me Covid-19, por sipas kryeministrit Edi Rama nesër pensionistët do të lejohen të dalin për ajrosje.
“Nesër duke qenë se gjithçka do të jetë e mbyllur për të gjithë pensionistët do të mund të dalin, jo për vizita as për domino apo mbledhje shumë të rrezikshme në grup, por për ajrosje për ecje në këmbë, deri në orën 11 paradite dhe jo më shumë se me një tjetër pensionist duke ruajtur distancën”, tha Rama.
Të ardhurat janë goditur rëndë
Kryeministri gjithashtu foli edhe për ndikimin e krizës në të ardhurat e shtetit. Sipas tij, nga Covid-19 është përllogaritur një humbje prej 540 milionë eurosh. “Javën e ardhshme duhet të fillojnë për t’u hapur në vazhdim, duke filluar nga e hëna më 27 prill të gjitha ato kategori që do të publikohen në faqen e e-Albania, po nesër. Dua të jem shumë i qartë që nga java e ardhshme në bazë të kodit të ri penal, pasojat për shkelësit pa përjashtim ama në radhën më të parë për lokalet e trimave të lagjeve që hapen fshehurazi do të jenë të rënda dhe të pa negociueshme. Ky shtet kjo qeveri ka humbur si rezultat i kësaj lufte ka humbur 100 milion euro në muajin mars, 170 milion pak a shumë në muajn prill dhe me gjasë do të humbas 170 milionë në muajn maj dhe pak a shumë 100 milionë në muajin qershor”, tha Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/180159656338600/

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë