Ngjarje

60 orë në izolim

I gjithë vendi është në fundjavën më të gjatë të izolimit, prej të premtes ora 17.30 deri të hënën në 05.00 të mëngjesi. Njerëzit kanë rendur të bëjnë pazaret e fundit duke krijuar dyndje nëpër tregjet e shumë qyteteve, njëri prej të cilëve, ai i Kamzës, është bërë vërtet problematik, pasi askush nuk ka mbajtur distancat e sigurisë dhe mjete të tjera mbrojtëse. Përballë këtyre 60 orëve izolim total, policia thotë se do të monitorojë me rreptësi gjithë shkelësit e karantinës.
Siç raporton Top Channel, nisur nga situata, policia do dalë nëpër lagje për patrullë si dhe do ketë edhe postoblloqe të përforcuara. Përjashtime përbëjnë vetëm ata qytetarë që kanë emergjenca për të dalë sidomos për t’iu drejtuar spitaleve. Të shumta kanë qenë gjobat që policia ka vendosur këto kohë dhe dita e enjte ishte më e ashpra për gjobat ndaj kalimtarëve. Gjatë këtyre 5 javëve janë vendosur 6200 gjoba ndaj kalimtarëve, po ashtu 1920 leje drejtimi janë hequr pasi qytetarët nuk kishin mandat autorizimi apo se e drejtonin mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkaq Policia e Shtetit njoftoi se postblloqet dhe shërbimet e policisë do të jenë shumë të rrepta ndaj të gjithë shkelësve. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë Tiranë Rebani Jaupi dhe Zv/drejtori Dhimitraq Ziu, ka inspektuar shërbimet e Policisë në rrugë, për të parë nga afër zbatimin e masave kufizuese. Krerët e policisë panë nga afër, përreth dy orë, në disa pika kontrolli, të gjitha kontrollet e kryera nga ana e Policisë për lëvizjen e automjeteve 4+1, nëse drejtuesit ishin të pajisur me autorizim, si dhe nëse zbatonin fashën orare të lejuar apo abuzonin me autorizimet e mara në emër të bizneseve që ata punonin ose përfaqësonin. Dy ditë më parë, Veliu, gjatë një prononcimi për shtyp bëri me dije se automjetet 4+1 do të përdoren vetëm për të shkuar nga shtëpia në punë dhe anasjelltas dhe jo të përdoren në mënyrë abuzive jashtë destinacionit, pasi çdo drejtues mjeti që do kapet duke drejtuar mjetin jashtë destinacionit do të ndëshkohet sipas Aktit Normativ.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/228339894913762/

Në vigjilje të karantinës 60-rëshe, qytetarët kanë rendur të bëjnë furnizimet për këtë fundjavë të gjatë. Pamjet që ka ofruar Report TV në tregjet në mbarë vendin, kanë qenë shqetësuese. Tregu i Kamzës është bërë tepër problematike këtë premte dhe rrezik infektimi për shkak të grumbullimeve masive të qytetarëve , të cilët nuk respektonin distancën dhe as zotëronin maskat mbrojtëse gjatë kohës që bëni pazar. Pas vëzhgimit të Report Tv për situatën e krijuar duke pasqyruar gjendjen që nga hyrja dhe deri në çdo rrugicë të tregut të Kamzës, është vënë re një shtim i ndjeshëm i efektiveve të rendit dhe policisë bashkiake duke këshilluar qytetarët të ruajnë distancën, edhe pse jo në çdo rast është dëgjuar nga këto të fundit. Pas kësaj gjendjeje alarmante, kreu i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli premtoi se të hënën Tregu i Kamzës do të pajiset me tunel dezinfektimi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Tregu në Kamëz
Tregu në Kamëz
Tregu në Kamëz
Tregu në Kamëz

Situata kaotike në Kamëz u vu re edhe gjetkë. Grumbullime të rrezikshme njerëzisht pati edhe në Krujë, ku bashkia u detyrua të mbyllë tregun. Ndërsa në Vlorë, ku 3 ditë më parë u mbyll Tregu i Orizit nga e njëjta panoramë problematike, tregtarët kanë dalë në protestë duke kërkuar pagën e luftës./TCH, ReportTV


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë