Politike

Rama “dorëzon” Kajmakun. Basha: Pasqyrë me kë qeveris

Vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, që kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit se ishte arrestuar në Greqi, Kryeministri Edi Rama e lexon si provë e një institucioni që mbron ligjin dhe jo vegël e Qeverisë.

“KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje. Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”, shkruan Kryeministri në rrjetet sociale.

Por, për Lulzim Bashën vendimi i KQZ-së provon një tjetër gjë.

“Është pasqyra e radhës se më kë qeveris ai. Është poshtërim për Partinë Socialiste, nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar, por nxjerr llumin e llumit! Është poshtërim për të gjithë shqiptarët, që shkëlqejnë kudo në botë, por në vendin e tyre qeverisen nga kriminelë”, tha Basha.

Kreu i PD shtoi se nuk bëhet më fjalë për rastësi, por për një skemë të mirëmenduar të Edi Ramës që nga 2013.

“Për t’i dorëzuar pushtetin krimit! Qeveris me krimin dhe e mban pushtetin me krimin. T’ja kthejmë qeverisjen qytetarëve me zgjedhje të parakohëshme me qeveri tranzitore”, tha ai.

Bashës i ktheu përgjigje ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo i kujton kreut të PD-së një “llogari” të hapur me drejtësinë.

“Lulzim! Ti je një i pandehur në prokurori dhe si fillim duhet të provosh pafajësinë tënde për pastrimin e parave në emër të Partisë Demokratike dhe pastaj të hapësh gojën e të japësh mendjen që nuk e ke për Partinë Socialiste!”, deklaroi Spiropali.

Më tej, deputetja socialiste përsërit se PS nuk mbron askënd përpara ligjit, por as nuk mban përgjegjësi për të zgjedhurit e dalë prej listave të saj.

Nga LSI reagoi Petrit Vasili.

“Largimi i Kajmakut vulos që votimet 30 qershorit ishin kriminale. Edi Rama për faqe të zezë. Edi Rama kandidoi vetëm, votoi vetëm dhe numëroi vetëm dhe në fund prodhoi të inkriminuar. Edi Rama ka rënë përfundimisht politikisht, moralisht dhe psikologjikisht. S'ka kohë për të humbur. Zgjedhje më sa parë që të shpëtojmë Shqipërinë nga gremina!”, shkruan nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë