Politike

Rama: Do nisë puna me Bypass-in e Shëngjinit. Tërheqim turistët që shpenzojnë shumë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, në një takim në aksin Shëngjin-Velipojë me përfaqësuesit e bizneseve tha se kjo rrugë fuqizon mbështetjen e ekonomisë së Lezhës dhe Shkodrës.

Duke u ndalur tek investimet që do të kryhen në zonë më qëllim zhvillimin e turizmit, ai dha lajmin për ndërtimin e një rruge që lidh zonën e Tales me bregdetin si dhe ndërtimin e Bypass-it të Shëngjinit kërkuar nga komuniteti.

“Jam dakord që kjo është një nga zonat më të bukura të Europës. Kjo meriton një zhvillim në standardet më të larta të Europës. Projekt tjetër që kemi dakordësuar, me Pjerinin që ka urdhëruar dhe unë kam pranuar ta zbatoj, është projekti i lidhjes së zonës së Tales me bregdetin, përmes rrugëve perpendikulare, ku faktikisht nuk ka infrastrukturë që të mbështesë këto zhvillime, ndërkohë deri dje s’ka pasur nevojë të kishte. Dhe Bypass-i i Shëngjinit”, tha ndër të tjera Rama.

Sipas tij, me këto investime, do tërhiqen turistët që shpenzojnë shumë. Mandej ai u bëri thirrje bizneseve që të rriten pagat dhe të ketë cilësi.

“Shqipëria do të përfaqësohet me një mozaik të jashtëzakonshëm arkitektësh. Janë projekte shumë ambicioze. Do tërheqim fuqinë e madhe të konsumit nga ana e kategorisë së turistëve që shpenzojnë shumë. Ata kanë nevojë për këtë infrastrukturë, të ardhurat rriten. Lind nevoja të paguhen edhe më shumë stafet, lidhen edhe me cilësinë. Ne do të jemi mbështetës. Kemi shumë mundësi për të ndërtuar infrastrukturë hotelerie, mikpritjeje shembullore”, theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë