Politike

Rama: BE impotente përballë vetos bullgare! Çfarë shfaqje e turpshme

Për të tretën ditë me radhë, Kryeministri Edi Rama iu drejtua audiencës së huaj në rrjetet sociale. Përmes Tëitter-it dhe në anglisht, ai qorton atë që e quan impotencë të 26 vendeve të BE-së përballë Bullgarisë.

“Është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari! Çfarë turpi për Europën kjo çështja bullgare. Në mes të një lufte të nxehtë në oborrin e Europës, një vend anëtar i NATO-s merr peng dy vende të tjera anëtare të NATO-s, ndërsa 26 vendet e BE-së heshtin në një shfaqje të frikshme impotence”, shkruan Kryeministri.

Një reagim të dytë ai e shoqëron me një foto duke buzëqeshur me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Dy kryeministrat ndodhen në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e thirrur nga Këshilli i BE. Në foto mungon Aleksandër Vuçiç.

“Ende duke pritur Godinë?! Jo, ne jemi mësuar tashmë me këtë lojë dhe jemi më shumë se kurrë të vendosur për të shtyrë përpara vendet tanë dhe rajonin drejt modernizimit me shpirtin e palëkundur europian”, thotë ai.

Të mërkurën, pasi Komisioneri Oliver Varhelyi njoftoi se Bullgaria do të hiqte veton, Rama tha se do të shkonte në Bruksel, duke ndryshuar qëndrim nga ai i së martës, kur ngrinte pikëpyetje se çfarë do të bënte në Bruksel përsa kohë Bullgaria nuk hiqte veton.

Në reagimin e së mërkurës, Rama thotë se do të marrë pjesë në samit dhe mes të tjerave do të flasë edhe për Ballkanin e Hapur, që thotë se materializon shpirtin e BE në Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë