Menaxhim

Eksporti i grurit dhe miellit për Shqipërinë / Rama: Ballkani i Hapur na vjen në ndihmë, Serbia të tregojë që nuk do ta ndalojë

Në takimin e dytë radhazi për prezantimin e skemës së rezistencës sociale, Kryeministri Edi Rama, ritheksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ballkanit të Hapur në kohë krizash, siç është kjo e tanishmja si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Të gjitha vendet po i mbyllin kufijtë, siç bënë me pandeminë. Kemi kompanitë tona të grurit dhe kanë 20 mijë ton të kontraktuara në Serbi dhe ne duam ta hapim këtë rrugë me diplomaci. Me Ballkanin e Hapur pra. Nëse vlen diçka kjo nismë, ja vlen tani. Ta tregojnë edhe ata, ta tregojë Serbia që janë po kaq seriozë për Ballkanin e Hapur, le ta hapin”,- tha Rama.

Në tre marrëveshjet e nënshkruara midis tri vendeve në Open Balkan, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut, përfshihen heqja e kontrolleve kufitare, lehtësimi i lëvizjes së mallrave mes tre vendeve dhe për të bashkëpunuar së bashku për mbrojtjen nga katastrofat natyrore.

Pika e dytë, ajo e lehtësimit të tregtisë së jashtme duket se do të vijë në ndihmë në mesin e një krize kërkesë-ofertë në vendin tonë.

Në një njoftim të ditëve të fundit, se Serbia do të ndalonte eksportin e grurit dhe miellit, pritej efekti i drejtpërdrejtë në vendin tonë, ku Serbia mbante 36% të importit të grurit dhe miellit tek ne.

Sipas, Ramës, kjo nuk do të ndodhë sepse eksporti është bllokuar për vendet e tjera dhe jo për ne në Open Balkan.

Pak ditë pasi perëndimi vendosi sanksione kundër Rusisë si pasojë e agresionit në Ukrainë dhe Serbia refuzoi të bëhej pjesë.

Rama tha se kjo gjë nuk mund të ndryshojë qëllimin e Shqipërisë në këtë marrëveshje tregtare.

“Ne e dinim marrëdhënien e Serbisë me Rusinë që kur u bëmë pjesë e Ballkanit të Hapur. Nuk mund t’i kërkojmë Serbisë të ndryshojë mendim”, tha ai.

Por a do të funksionojë pakti i “Ballkanit të Hapur” në këtë situatë krize pas luftës në Ukrainë? Zërat në Shqipëri janë shtuar që Tirana të largohet nga nisma pasi Beogradi nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë. Madje disa deputetë të opozitës në Shqipëri paraqitën një rezolutë, ku kërkojnë që të ndahemi nga Ballkani i Hapur, për sa kohë Serbia nuk i bashkohet perëndimit.

Ndërkohë, deri më tash për funksionimin e "Ballkanit të Hapur" ka folur vetëm Rama. Ende nuk ka një qëndrim apo deklaratë nga Maqedonia e Veriut, pjesë e nismës edhe ajo, lidhur me këtë çështje.

Që do të thotë se po na ndihmon nisma? Apo komunikimet e drejtpërdrejta të Ramës me Vuçiç?

Edhe presidenti serb nuk ka bërë asnjë deklaratë në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë