Politike

Rama analizon punën e qeverisë një ditë pas Asamblesë së PS-së

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot mbledhje me ministrat e qeverisë, këtë herë jo në godinën e Këshillit të Ministrave, por në Pallatin e Brigadave. Qëllimi i kësaj mbledhjeje një ditë pas mbajtjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, është analiza e punës së kryer nga ministrat gjatë gjashtë muajve të parë vitit 2019.
Në mbledhje mësohet se kanë qenë kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, si dhe të gjithë zëvendësministrat. Bilanci i qeverisë “Rama” është në fokus ku çdo ministër, ashtu si dhe vitet e shkuara, ka paraqitur punën e kryer dhe se si i ka arritur objektivat e vendosura më parë.
Mbledhja e konsideruar si “Retreat”, nisi që në orën 09:00 dhe të gjithë ministrat mësohet se kanë raportuar mbi punën e kryer. Në fokusin e analizës mësohet se janë edhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, si dhe do të përcaktohet se çfarë duhet të bëjë qeveria në muajt e ardhshëm.
Rama mësohet se ka kërkuar më tepër angazhim nga ministrat pas situatës së re të krijuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke dhënë mesazhe se mandati i qeverisë do të jetë i plotë deri në vitin 2021.
Kryeministri Edi Rama e riformatoi qeverinë në janar të këtij viti, duke bërë ndryshime rrënjësore në portofolet kyçe me emërime të njerëzve jashtë profilit të lartë politik, si te Financat, e Brendshme, apo Arsimit dhe e Energjetikës. Rama mbajti vetëm pesë ministra, duke ndryshuar pjesën tjetër të kabinetit.
Një ditë më parë u zhvillua Asambleja Kombëtare të PS-së, gjatë fjalës së tij kryesocialisti Edi Rama paralajmëroi deputetët socialistë por dhe kryebashkiakët socialistë se kush nuk do i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori nuk do të jenë pjesë e projektit politik 2021.
“Nuk mund të ketë më anëtar të Asamblesë së PS-së që kujtohen për PS-në vetëm nga ftesa për mbledhjen e Asamblesë dhe nuk shfaqen tek njerëzit. Kush nuk do i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori nuk do të jetë më në projektin tonë politik 2021. Kush nuk do të bëjë kilometrat e veta që imponon 30 qershori do të dalë nga projekti i vitit 2021. Ashtu si kundër do të dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike çdo kryebashkiak që do të bëjë gabimin të mendojë që tani që ka marrë mandatin mund të bëjë pa njerëzit dhe pa ne. Revolucioni imagjinar i administratave bashkiake ishte një turp dhe u kthye në disfatë shembullore për udhëheqësit”, tha Rama.
Kryeministri në Asamblenë e mbajtur në dhjetor të vitit shkuar, ku shpalli edhe ndryshimet e fort radikale paralajmëroi gjithashtu edhe dy ministrat Blendi Klosi të Turizmit dhe Ogerta Manastirliu se nëse nuk do të kishin rezultate do të shkarkoheshin edhe ato nga detyra që mbanin. Por pas gjashtë muajsh, kryeministri vlerësoi se nuk ishte nevoja që të ndërmerreshin ndryshime të tjera në qeveri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë