Lajme

Rama: 150 shkolla do të kenë oficerë sigurie

Në konferencën e sotme për shtyp, kreu i qeverisë, Edi Rama, u shpreh se do të zbatohet programi pilot për vendosjen e oficerëve në shkolla.

Një projekt i prezantuar kohë më parë, por që tani do të shtrihet në 150 shkolla me oficerë të trajnuar.  

Sipas tij, oficerët do të kenë rolin e kujdestarit, vëzhguesit dhe ndërmjetësit me trinomit nxënës-mësues-prind, pasi ndër problematikat më të mëdha në shkollë është përdorimi i drogërave dhe mosprania në orët e mësimit.

“Sot kemi vendosur të nisim zbatimin e programit për oficerët e policisë në shkollat e vendit. Ky program u pilotua me rezultate të kënaqshme nga komuniteti i prindërve, mësuesve dhe Policisë së Shtetit. Tani do të shtrihet në 150 shkolla, për oficerë policie të trajnuar enkas për këtë program.

Program që sikundër na e ka dëshmuar projekti pilot siguron rritje të ndërveprimit mes shkollës, familjes dhe Policisë së Shtetit, në funksion të mbrojtjes së fëmijëve nga hyrja në kanalet e lëndëve narkotike, por dhe në funksion të parandalimit të fenomeneve të dhunës apo bulizmit, në  funksion të mbrojtjes së shëndetit të tyre nga duhani apo lënia e orëve. Janë problematika që çdo prind, çdo shkollë është e interesuar.

Sigurohet një hallkë e munguar, se oficeri nuk është polic, por është ndërmjetës, kujdestar, vëzhgues i posaçëm me trajnim shumë specifik. Ajo që kemi parë në këto 150 shkolla të projektit pilot jo vetëm do konfirmohet, por do japë një bazë të re sigurie dhe rregulli në shkolla. Ministri i Brendshëm i Austrisë shprehu dëshirën që të ketë një bashkëpunim për këtë program. Problemet në shkolla sidomos në gjimnaze janë probleme që nuk janë vetëm shqiptare, por i hasin të gjitha vendet. Dhe vendet e pasura hasin gjithnjë e më shumë në shkollë problemin e drogërave të forta. Jemi duke punuar për të zbatuar dhe vendimin e heqjes përfundimtare të celularëve nga shkolla, për nxënësit dhe mësuesit”, është shprehur Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë