Bota

Raketa ruse shkakton 10 viktima në Dnjipro. Kievi: 500 mina në Detin e Zi

Gazeta Si - Një raketë ruse “Iskander”, goditi një kazermë të Gardës Kombëtare të Ukrainës në rajonin Dnjipro, duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur 35 të tjerë.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i qendrës kundër terrorizmit të rajonit Dnjipro, Genadi Korban për mediat lokale.

Sipas Korban, tre raketa u lëshuan nga rajoni Rostov i Rusisë dhe një nga tre goditi kazermën.

Ndërkohë, Ukraina ka ngritur pretendimet se Rusia ka vendosur rreth 400-500 mina të vjetra sovjetike në Detin e Zi, duke e bërë kështu të pamundur eksportin e mallrave në portet e Ukrainës.

Zëdhënësi i administratës ushtarake rajonale të Odesës, Serhiy Bratchuk, ka deklaruar se Rusia ka krijuar një krizë ushqimore në botë duke bllokuar portet.

Ai ka shtuar se Rusia po përdor një alibi informacioni për të fajësuar Ukrainën për krizën ushqimore.

Portet e Detit të Zi të Ukrainës janë bllokuar që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, duke pezulluar eksportet e drithit. Nga ana tjetër, zyrtarët thonë se 20 milionë tonë drithë janë bllokuar tani në vend.

Në raportin e OKB, thuhet se disa vende mund të përballen me zi buke afatgjatë, nëse eksportet e Ukrainës nuk rikthehen në nivelet e paraluftës.

Rusia ka ofruar hapjen e një korridori përmes Detit të Zi për dërgesat e produkteve ushqimore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë