Motosport

Raikonen sulmon Formulën 1: Botë false, e shkatërruar nga paratë dhe politika

Prej më shumë se një muaji, Kimi Raikonen nuk është më zyrtarisht pilot i Formulës 1. Finlandezi i datëlindjes 1979 preferoi ta mbyllte karrierën në Çmimin e Madh të Abu Dhabit 2021, pas 19 sezonesh. Tani, pas pak kohësh, kampioni i botës në vitin 2007 duket se nuk ka asnjë keqardhje për atë që ka lënë pas. Ai ka thënë në një intervistë për “Motorsport.com” se ka shumë gjëra që e prishin ambientin e këtij sporti.

Falsitet dhe elementë të jashtëm te Formula 1: kjo është akuza e Raikonen. “Ka shumë gjëra që nuk kanë sens, të paktën për mua, në Formulën 1. E dimë, por askush nuk thotë asgjë. Ka shumë falsitet në ambient dhe është më bukur të jesh jashtë tij”, - është shprehur piloti finlandez.

Kimi Raikonen, ish-pilot i Formules 1. Gazeta Si, 21 janar 2022

Më pas, Raikonen flet edhe me detaje: “Paratë i kanë ndryshuar gjërat edhe në këtë ambient, ashtu si në çdo sport. Sa më shumë të futen paratë, aq më shumë futet edhe politika. Ndodh kështu kudo, në çdo vend. Besoj se njerëzit kanë qejf të kenë fuqi. Ka shumë edhe në F.1 që mund të bëjnë mirë edhe në politikën e vërtetë”.

Deklaratat e Raikonen zbulojnë një F.1 shumë më ndryshe nga ajo që imagjinojnë të apasionuarit pas këtij sporti. Ish-piloti i MekLarenit dhe Ferrarit shpjegon: “Ka qenë kështu për shumë vjet, ndërsa njerëzit mund të kenë kuptuar më mirë tani. Unë nuk kam lejuar të përfshihem në aspektin politik. Di shumë gjëra që ndodhin aty, por kam preferuar të qëndroj jashtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë