Muzike

Rafet Rudi në kreshendo muzikore 

Nga muzika bizantine e durrsakëve Gjergj Danush Llapacaj dhe Jan Kukuzeli, tek spanjolli i shekullit të 16-të Tomas Luis de Victoria, për të kaluar në muzikën klasike të një prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë Wofgang Amadeus Mozart e për të mbërritur në bashkëkohësi me kompozitorin norvegjez Egil Hovland dhe kompozitorin amerikan, Jake Runestad. Ky është repertori i premtuar i koncertit “Crescendo Musicale”, i cili mbrëmjen e 3 shkurtit, në mjediset e ArTurbinës do të dirigjohet nga mjeshtri Rafet Rudi. “Për mua është hera e parë  që punoj me orkestrën dhe korin e TKOB”, është shprehur dirigjenti, i cili hap siparin e bashkëpunimit artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse thotë se ndihet komod mes miqve dhe bashkëpunëtorëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Koncerti çelet me korin që këndon nga Antifonari i Gjergj Danush Llapacaj, dhe vijon me muzikën korale të Kukuzelit. Nga kompozitori spanjoll Victoria është zgjedhur pjesa “O Magnum mysterium” . “Agnus Dei”, koncert për fagot dhe kor “a cappella”,  të kompozuar nga Egil Hovland, e sjellin të  ekzekutuar  fagotisti Orges Malaj dhe kori i TKOB-it.Pjesa  e dytë do të rezervojë “Missa Brevis” të Moxartit, që do të ekzekutohet nga orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe solistët e vokalit Emiljana Palushaj, Ina Gaqi, Gerald Murrja, Enea Cerashi dhe Bledar Domi.

Program jo të lehtë për anëtarët e korit dhe solistët,  e cilëson dirigjenti Rudi, i diplomuar në Beogradin, dikur qendër e ish-Jugosllavisë, pasi janë të orientuar kryesisht kah muzika romantike e operas.  Rudi i përkushtohet në punën e tij restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë. Kjo bën të kuptueshme zgjedhjen e tij  të Gjergj  Danush Llapacaj (shek. XVI) dhe Jan Kukuzelit (shek. XIII). Së bashku me krijimtarinë  e Niketa Dardanit (Niketa i Remisianës, nga shek. IV), këto vepra, po bëhen pjesë e repertorit standard koral në trevat shqiptare. Rafet Rudi është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve dhe Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Rafet Rudi u lind në Mitrovicë, në vitin 1949, ndërsa i kreu studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd për dirigjim dhe kompozicion. Do të vijonte më tej studimet pas universitare në Sarajevë dhe u specializua në Konservatorin Nacional të Parisit. Në vitet 1980 -1987, që nga themelimi i korit profesional të Radio Televizionit të Prishtinës ishte dirigjenti i parë i tij, me të cilin realizoi rreth 150 koncerte. Ai do të dirigjonte koncerte në shtete të ndryshme, atëherë pjesë e federatës jugosllave, si Slloveni, Maqedoni e Kroaci.

Rudi është dirigjent permanent i Korit të Filarmonisë që nga viti 2006, me të cilin ka pasur shumë përfaqësime të rëndësishme në vend dhe jashtë tij, si Kroaci, Itali dhe Angli dhe nën udhëheqjen e tij kori i kushtohet  literaturës moderne korale si Ligeti, Whitacre dhe Kodaj, po ashtu edhe  polifonisë korale të Rilindjes  dhe Barokut. Në repertorin e Korit të Filarmonisë zënë vend të merituar, gjithashtu dhe veprat bashkëkohore të kompozitorëve shqiptarë. Gjithashtu, mjeshtri  Rudi i është përkushtuar edhe publicistikës,  duke botuar mbi 400 shkrime eseistikë, recensione dhe kritikë etj. Ai është themelues i Qendrës Kosovare për Muzikën e Re dhe themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës – ReMusica.

 

Më Shumë