Futboll

Radha e Real-Liverpul dhe Napolit, kompletohet sot 8-shja çerekfinaliste në Champions

Gazeta Si – Pas dy ndeshjeve të mbrëmjes së sotme, Real-liverpul dhe Napoli-Eintraht Frankfurt do të kompletohet 8-shja e fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Tashmë janë kualifikuar Çelsi, Milan, Benfika, Bajern Mynih, Inter dhe Mançester Siti.

Reali dhe Napoli në fakt janë me një këmbë në turin çerekfinal, pasi kanë fituar bindshëm ndeshjet e para në transfertë. Reali bëri një përmbysje epike në Liverpul dhe në fund fitoi 2-5. Edhe pse topi ndonjëherë e thyen majën e lapsit, ky rezultat lë pak shpresë për anglezët.

Reali feston nje gol ne ndeshjen e pare ndaj Liverpulit. Gazeta Si, 15 mars 2023

Trajneri Ançeloti u shpreh se nuk bën llogari, por kërkon që skuadra të japë gjithçka në fushë. Benzema është rikuperuar nga dëmtimi. Klop në anën tjetër ka theksuar se Liverpuli nuk ka asgjë për të humbur në këtë sfidë dhe do të hidhet në sulm.

Ndeshja mes Napolit dhe Eintrahtit, më shumë se për atë që do të ndodhë në fushë, ka marrë vëmendje për çështjen e tifozëve gjermanë, pasi rezidentëve në Frankfurt u është ndaluar shitja e biletave. Italianët kanë fituar 0-2 në Gjermani dhe sot mjafton të administrojnë atë rezultat për të siguruar çerekfinalen.

Liga e Kampionëve, 1/8-at

Sot, ora 21:00

Real Madrid-Liverpul (5-2)

Napoli-Eintraht Frankfurt (2-0)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë