Futboll

Racistë, fashistë e të dhunshëm. Futbolli duhet t’i thotë ‘Mjaft’ kësaj idiotësie!

Gazeta Si – Rezultati ka dalë në plan të dytë, vëmendjen pas Juventus-Inter e ka marrë sherri mes lojtarëve pas ndeshjes dhe veçanërisht racizmi i tifozëve. Sërish kore raciste ndaj sulmuesit Romelu Lukaku dhe shtypi italian kërkon me forcë masa ekzemplare për fajtorët në stadiume.

Qarkullon një video në rrjetet sociale, ku një tifoz i Juventusit, me shpinë nga fusha, shan dhe fyen Lukakun me fraza të rënda raciste. Nuk është më rasti për të mbyllur sytë parbëllë një idiotësie të tillë. Kore raciste dhe pastaj dëgjohen ‘majmun ka**’, apo dhe "zezak mu**’.

Lukaku u sulmua nga tifozet e Juventusit pas golit. Gazeta Si, 5 prill 2023

Nëse ishin këto kore që sollën zemërimin e Romelu Lukakut e më pas sherrin e turpshëm në fundin e ndeshjes, ka pak rëndësi. Pse? Sepse fusha është shumë më e gjerë, ka të bëjë me edukimin e tifozëve dhe respektin ndaj kundërshtsarit, që nuk ekziston më dhe që po degjeneron javë pas jave me episode të ndryshme.

Juve-Inter është vetëm rasti i fundit dhe vjen pas shfryrjes së ashpër dhe të drejtë të Aurelio de Laurentis kundër tifozëve të vet, ose më mirë ndaj asaj pjese të tiofozëve të Napolit, që ndaj Milanit protestuan ndaj pronarit.

Këta tifozë problematikë, ashtu si dhe ai racist i Juventusit, duhet të përjashtohen nga stadiumet. Përgjithmonë.

Problemi me ultrasit në Itali është i hershëm dhe nuk përfundon me racizmin. Janë të freskëta sulmet ksenofobe ndaj Stankoviç, por edhe ndaj të të ndjerit Mihajloviç në të kaluarën. Janë edhe koret antisemitiste të tifozëve lacialë, por ka edhe dhunë, siç ndodhi në autogrill mes tifozëve të Romës dhe Napolit. Shembujt janë të shumtë.

Të gjithë këta episode kanë në qendër të njëjtin ‘kancer’, mënyrën e përjetimit të tifozllëkut të dhunshëm. Për të mos folur pastaj për infiltrimet mafioze keqbërëse jo pak të rralla mes ultrasve. Klubet për fat të keq shpesh i nënshtrohen tifozllëkut të organizuar.

Në këtë pikë mund të shtohen edhe parullat kërcënuese drejtuar disa lojtarëve të konsideruar "tradhtarë". I fundit është Nikolò Xaniolo, që pak a shumë u detyrua të ikte nga Roma. Ka ardhur momenti për të thënë mjaft. Me sanksione që të jenë të rënda dhe drastike, ekzemplare. Nëse problemi janë ultrasit, atëherë sektori i tyre duhet mbyllur pa frikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë