Njerez

Qyteti ngel pa ujë, prokuroria bullgare arreston ministrin

Qeveria bullgare përballet me një mocion mosbesimi në Parlament pas krizës së furnizimit me ujë të një qyteti në Perëndim të vendit.

Qyteti Pernik, me rreth 80 mijë banorë është një qytet industrial ku janë vendosur edhe termocentralet e prodhimit të energjisë elektrike me qymyr, që kërkojnë burime të mëdha uji.

Banorët vendas kanë protestuar për javë me radhë për mungesën e furnizimit me ujë të rrjedhshëm në rubinetat e tyre. Ata akuzuan autoritetet qendrore dhe vendore se kanë abuzuar duke furnizuar pa ndërprerje me ujë bizneset dhe fabrikat industriale në kurriz të qytetarëve.

Më vonë u mësua se kompanitë industriale kishin shfrytëzuar 16 milionë metër/kub ujë nga rezervuari kryesor që furnizohet ky qytet, ndërkohë që në kontratë kuota që i lejohej që të shfrytëzonte nga rrjeti që njëkohësisht furnizonte edhe qytetarët ishte vetëm 1 milion metër/kub ujë.

Ministri i Mjedisit, Neno Dimov u arrestua nga Prokuroria për shpërdorim detyre duke lejuar furnizimin me ujë të rrjedhshëm të kompanive industriale në Pernik. Menjëherë, Kryeministri Boyko Borisov e shkarkoi.

Nga detyra u shkarkua edhe kryebashkiaku i zgjedhur dhe në vend të tij u emërua Stanislav Vladimorov, i cili deklaroi se qytetarët do të kenë përparësi në furnizimin me ujë të pijshëm përballë kompanive dhe fabrikave industriale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë