Bota

Qyteti Chasiv Yar është ‘karbonizuar’. SHBA: Rusia përdori armë kimike kundër ukrainasve

Gazeta Si- Shkatërrimi total i Chasiv Yar, një qytet me 12 mijë banorë, tashmë i djegur plotësisht. Ashtu siç shihet nga dronët, kjo u lejon rusëve të kontrollojnë tani frontin lindor nga lart (një kodër) dhe të nisin një ofensivë të ardhshme pranverore.

Qyteti ra, sipas ukrainasve, për shkak të vonesës në mbërritjen e municioneve nga SHBA: ai bashkohet me Bakhmutin dhe Avdiivkën, ndër më të shkatërruarit e luftës.

Ndërkohë, Rusia përdori një "armë kimike" kundër forcave ukrainase, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në veçanti, sipas akuzës së Pentagonit, trupat e Moskës do të kishin përdorur agjentin kimik të njohur si kloropicrin, në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Armëve Kimike.

“Përdorimi i këtyre lëndëve nuk është një rast i izoluar dhe ka të ngjarë të nxitet nga synimet e trupave ruse për të zhvendosur forcat ukrainase nga pozicionet e fortifikuara dhe për të arritur fitore taktike në fushën e betejës”, tha Departamenti i Shtetit nëpërmjet një deklarate.

Ambasada ruse në Uashginton nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia Reuters deri në publikimin e këtij artikulli.

Substanca kimike kloropicrinë (PS) është një irritues me karakteristika të një gazi lotsjellës dhe është listuar si substancë e ndaluar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) me bazë në Hagë, e krijuar për mbikqyrur zbatimin e Konventës së 1993 për Armët Kimike.

Më herët gjatë këtij muaji, agjencia Reuters njoftoi se ushtria ukrainase kishte pohuar se Rusia kishte shtuar përdorimin e agjentëve (kimikë) për kontrollin e trazirave ndërsa synon të shënojë përparime në lindje të Ukrainës.

Sipas të dhënave ukrainase, 500 ushtarë kanë marrë kujdes mjekësor për ekspozim ndaj substancave toksike dhe një ushtar ka vdekur si pasojë e mbytjes nga gazi lotsjellës.

Ndërsa gjatë protestave civilët mund t’i shpëtojnë substancave kimike për kontrollin e trazirave, ushtarët e bllokuar në llogore të pa pajisur me maskë ose duhet të largohen në rast sulmi nga armiku ose rrezikojnë të mbyten.

Departamenti i Shtetit tha se do të njoftonte Kongresin mbi përcaktimin e tij se përdorimi nga Rusia i kësaj substance ndaj trupave ukrainase shkelte Konventën për Armët Kimike.

Në deklaratë thuhej se Departamenti i Shtetit ka përcaktuar se Rusia ka shkelur edhe ndalimin e përdorimit të agjentëve kimike për kontrollin e trazirave si mjet lufte.

Departamenti njoftoi se do të vendoste sanksione ndaj tre entiteteve shtetërore ruse të lidhura me programet e armëve kimike dhe biologjike. Sanksione u vunë edhe ndaj 4 kompanive që mbështesnin këto tre entitete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë