Editorial

Qoka sociale e arsimit të lartë !

studentunivesitet

Nga Irena Beqiraj-Gjatë viteve 2000, kur punoja në Fakultetin Ekonomik, kishte  studentë të cilët nuk merrin dot provimet por merrin çdo muaj bursë nga shteti sepse vinin nga familje të varfra. Asnjëherë nuk e gjeta një arsye bindëse përse paratë publike duhet të investoheshin tek një student që ngrihej nga gjumi në 12 të drekës, nuk shkonte në shkollë, sorrollatej  rrugëve e kafeneve, merrte një 5  me të shtyrë vetëm herën e tretë?

Me hapjen e universiteteve private e kuptova arsyen. Një diplomë  universitare i "lumturonte" shqiptarët. Krijonte iluzionin e intelektualit, të shkolluarit, rriste mundësitë e suksesit edhe të punësimit. Mendësi  kjo që u bë  e dukshme kur familjet shqiptare  ishin të gatshme të paguanin,  edhe pse i riu/e reja nuk e kishte mendjen tek shkolla.

Hyrja në universistet  përdoret rëndom si albi për të bërë “asgjë “ sespe medemek je student.  Kjo sëmundje për disa nuk mbaron këtu. Disa tentojnë të çojnë fëmijët e tyre edhe në universitete jashtë edhe pse fëmija nuk ka interesin e nevojshëm edhe të mjaftueshëm për shkollë.

Pritshmëria  se universiteti është  hapi tjetër logjik është rritur në mënyrë eksponenciale në dekadat e fundit. Shqiptarët duan diploma, edhe pse qeveria duhet të mos i lejojë të marrin kartona pa vlerë? Cila qeveri populiste do t'ju hiqte votuesve mundësinë për të gënjyer veten, aq më tepër kur nuk ofrohet asnjë alternativë tjetër të qëndrueshme për zhvillimin profesional ?

Në fakt, kur ulet mesatarja e hyrjes 6.5, qeveria  rrit mundësinë që çdo  individ apo familja të investoj për vete dhe pjestarin e saj, duke  anashkaluar faktin që  universiteti është vendi i shenjtë i dijes, i cili u takon atyre të rinjve që kanë kuptuar nevojën dhe kanë dëshirë për dije.

Nëse të paaftët për t’ju përkushtuar dijes dhe shkencës pranohen në universitet, dëmi është i parikuperueshëm. Bari i keq e zë shumë shpejt vendin e bimës së mirë. Të aftët do të vazhdojnë gjithë jetën e tyre, si në rininë e hershme, të mbështeten tek  puna edhe të përdorin aftësinë edhe mundësinë që në çdo rast janë të limituara. Ndërsa i padituri me diplomë, do vazhdojë të vendos në punë dëshirat që janë të palimituara, të cilat i realizojnë pa drojë duke përdorur çdo mjet që justifikon qëllimin. Të paaftët e të paditurit, që futen në universitet, përse të mos bëhen me master, po doktorë pse jo? 

Cilësia në arsim fillon duke hequr dorë nga masiviteti. Fjala student duhet të konsiderohet titull që nuk mund t’i takojë kujtdo. Kemi nevojë  të forcojmë sitën e hyrjes në universitet. Përtej cilësisë kjo do të na ndihmojë të  ndërgjegjësohemi dhe të vlerësojmë me realitet fëmijet e tanë,  kapacitetet e tyre, talentet e tyre, duke  kuptuar që nuk është universiteti e vetmja mënyrë për të qenë i sukseshëm në jetë. Rrugët e sipërmarrjes, përshembull, nuk kalojnë gjithmonë nëpërmjet rrugëve të dijes.

Arsimi i lartë qartazi është përdorur edhe po përdoret si “qokë sociale”. Si rrjedhojë e kësaj qasje arsimi lartë qelbet erë mediokritet, edhe ky qelb po shpërndahet në gjithë korpusin tonë arsimor, duke u kthyer në sëmundjen më të rëndë të kombit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë