Ne rrjet

Hetimi i The Guardian: Qeveritë manipulojnë përmes Facebook. Kompania e di, por mbyll njërin sy. Ç’ndodh në Shqipëri

Udhëheqësit e vendeve të varfra dhe të tyre në zhvillim po shfrytëzojnë Facebook për të manipuluar qytetarët e tyre, ndërsa kompania mbyll një sy përballë këtij fenomeni. Gazeta britanike “The Guardian” thotë se rrjeti social më i madh në botë ka lejuar vazhdimisht udhëheqës të caktuar që të manipulojnë publikun, ose të sulmojnë kundërshtarin, pavarësisht se i janë paraqitur prova për shkelje të kushteve të përdorimit.

Gazeta britanike thotë se ka rënë në dorë të një dokumentacioni voluminoz të brendshëm të Facebook, ku shpjegohen me hollësi se si drejtuesit e platformës kanë trajtuar 30 raste manipulimi nga politikanë të 25 vendeve të ndryshme të botës.

Mes këtyre dokumentave, sipas “The Guardian”, përmendet edhe Shqipëria në listë me një grup vendesh të tjera ku drejtuesit kanë sinjalizuar për faqe dhe profile vetjake të rreme me qëllim çorientimin e publikut në diskursin politik.

“The Guardian” shkruan se në një rast hetuesit e njësisë së inteligjencës së Facebook provuan ekzistencën e një rrjeti faqesh e profilesh të rreme të lidhur me Qeverinë, që kishin si qëllim prodhimin e komenteve joautentike, por çështja nuk u hetua më tej.

Gazeta britanike thotë se nga investigimi që ka kryer mes dokumentacionit që zotëron ka dalë në përfundimin se Facebook nuk ndjek të njëjtin standard në lidhje me përgjigjen dhe hapat që ndërmerr në lidhje me këtë fenomen.

Rastet shqyrtohen në bazë të tipologjisë së vendit dhe udhëheqësit që e drejtonte, ku në rast se bëhej fjalë për regjime demokratike të brishta, apo regjime antidemokratike me udhëheqës të fortë, kompania mbyllte njërin sy dhe toleronte shkeljet, ndërsa në shtetet me demokraci të zhvilluar, zgjedhje të lira dhe liri shprehjeje brenda javësh ndërhynte.

“The Guardian” shkruan se kompania vepronte shpejt për të mbyllur faqet dhe profilet e rreme që kishin si synim manipulimin politik të qytetarëve në vende si SHBA, Tajvan, Korea e Jugut dhe Poloni, por në vende si Afganistani, Iraku, Mongolia, Meksika, Azerbajxhani dhe në pjesën më të madhe të Amerikës Latine në rastin më të mirë ndërhynte brenda disa muajve dhe në rastin më të keq nuk i merrte fare parasysh vërejtjet.

“Përmes Facebook po bëhet një dëm i madh, që nuk po merr përgjigjen e merituar sepse nuk konsiderohet dëm i mjaftueshëm për të rrezikuar marketingun e kompanisë. Kostoja e këtij dëmi nuk do të paguhet nga Facebook, por nga e gjithë bota”, thotë Sophie Zhang, ish-shkencëtare e të dhënave në Facebook.

Zhang u pushua nga Facebook në shtator të 2020-ës për performancë të dobët në punë. Në ditën e largimit ajo publikoi një letër lamtumire me 7800 fjalë, ku përshkruante sesi kishte gjetur në shumë raste përpjekje në një shkallë të gjerë nga qeveri të huaja për të abuzuar me platformën për të gënjyer qytetarët e tyre. Zhang akuzonte gjithashtu kompaninë se kishte dështuar në adresimin e kësaj problematike.

Në vitin 2016-të, Facebook ishte platforma kryesore e përdorur nga Rusia për të përçarë votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve. Pas këtyre zgjedhjeve, Facebook u zotua për të luftuar manipulimet politike me mbështetje shtetërore. Disa hapa pozitivë janë ndërmarrë, por ato, sipas “The Guardian” vlejnë vetëm për vendet Perëndimore, ndërsa për pjesën tjetër të botës manipulimi nga udhëheqësit politikë po lulëzon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë