Lajme

Qeveria tërhiqet nga rikualifikimi i diplomave të infermierëve

Ministria e Arsimit njoftoi se kishte “ngrirë” vendimin për të rikualifikuar si “bachelor” diplomat e infermierëve të marra në vitet 2002-2006. Vendimi,  i cili u mor disa ditë pasi BIRN publikoi lajmin, thotë se po kërkohet një zgjidhje ligjore për rastin që prek 4 mijë infermierë ndërsa thuhet se paga nuk do të cënohet.

Rreth 4 mijë infermierë u njoftuan në maj se nga pagat e tyre do të zbriteshin 4500 lekë, pasi tashmë diploma e fituar në vitet 2002-2006 në Universitetin e Mjekësisë, nuk u konsiderohej si “master shkencorë”, por “bachelor”. Infermierët i thanë BIRN se ata humbnin jo vetëm pagën mbi diplomë, por duhej të kthenin pas shtesën e marrë në dy vjet. Infermierët thanë se i trembeshin po ashtu humbjes së vendit të punës dhe se pas këtij vendimi duhej të shpenzonin edhe për rishkollimin.

Por të premten, katër ditë pasi BIRN publikoi lajmin për vendimin, Ministra e Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë, njoftoi se e kishte “ngrirë” hyrjen në fuqi të vendimit për rikualifikim të  nisur në nëntor 2017. MASR njoftoi se po konsultohej me Univeristetin e Mjekësisë për të gjetur një zgjidhje ligjore dhe se ishte ngritur një grup pune për këtë rast.  “Ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune për rastin konkret që është në kontakt të vazhdueshëm edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe efikase në favor të infermierëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më herët ministria i pati thënë BIRN se vendimi, për këtë rikualifikim dhe penalizimet në pagë sipas tij, ishte i bazuar në ligjin “Për Arsimin e Lartë” të vitit 2015 dhe se këto diploma nuk mund të ekuivalentoheshin në master për shkak se infermierët nuk kishin bërë tetë semestre teori, por 7 semestra dhe një semestër praktikë.

Vendimi, i cili ishte marrë në nëtor 2017 dhe u njoftua infermierëve në fillim të majit 2018, u cilësua si padrejtësi nga Sabri Skënderi, President i Urdhërit të Infermierëve. “Është një padrejtësi që u është bërë rreth 4000 infermierëve në të gjithë Shqipërinë. E vertëta është se edhe në pagë janë trajtuar më parë si të kualifikuar me master, pasi kishin kryer shtatë semestra plus praktikë”. Konfederata e Sindikatave po ashtu paralajmëroi protestë kundër këtij vendimi.

BIRN mësoi se infermierëve të përfshirë në këtë kategori u ishin zbritur nga paga rreth 4500 lekë në muaj, ku rreth gjysma i takonte parave që kthehen pas të përfituara prej vitit 2015 dhe pjesa tjetër uljes së rrogës.

Ndërkohë njoftimin për shtyp MASR njoftoi se pagat nuk do të prekeshin dhe se infermierët nuk duhej të shqetësoheshin. “Sigurojmë infermierët se nuk duhet të kenë asnjë shqetësim për pagat e tyre dhe as për kohëzgjatjen dhe vitet e studimit, pasi jemi duke i dhënë një zgjidhje ligjore kësaj çështje”, thuhet në njoftim.

Megjithatë infermierë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të kontaktuar nga BIRN thanë në kushte anonimati, se kjo ndalesë kishte marrë fuqi dhe atyre u ishin ndaluar paratë prej dy muajsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë