Para

“Qeveria të shkrijë fondet e investimeve për fasonin”

Pak ditë më parë gjatë turit të saj tek bizneset, duke u ndalur në një fabrikë fason, ministrja e Financave Anila Denaj bëri me dije se në këtë situatë ku ndodhet sipërmarrja, veçanërisht ajo fason pasi është goditur shumë nga kriza e pandemisë, ka nevojë për autonomi.

“Duhet autonomi, të stimulohet, nxitet prodhimi “Made in Albania. Kjo bëhet përmes lehtësive fiskale; granteve të kombinuara me garancitë sovrane. Ne do të diskutojmë menjëherë me përfaqësues të industrisë që ta jetësojmë këtë formulë”- tha ministrja Denaj.

Kjo është një nga kërkesat thelbësore që ka kërkuar shoqata Pro Export Albania në letrën drejtuar qeverisë.

Florian Zekja nga shoqata thotë për gazetën “Si” se situata e industrisë fason në Shqipëri  është dramatike, por kjo do të thellohet më tej në shtator-tetor.

Florian Zekja, Pro Export Albania

“Pjesa e fabrikave që punojnë ende për modën tani përfundojnë koleksionin dimër 2020 dhe nisin modelet për verë 2021. Këtu nis paqartësia dhe pasiguria e situatës sepse për shkak të izolimit, koleksioni verë 2020 nuk u shit. Ai doli në butiqe në qershor dhe doli me ulje sepse përkoi me uljet e sezonit. Pjesa më e madhe e këtij koleksioni është nëpër magazina. Fuqia blerëse ka rënë, psikologjia e njerëzve është e rënduar dhe janë të pasigurt për të ardhmen, nuk shpenzojnë për modë. Plus turizmi që është bashkë me ne një nga industritë më të goditura, ka ndikuar shumë në sektorin e modës. Vetëm Italisë i mungojnë 30 mln turistë, burimi i blerjes së veshjeve”- thotë Zekja.

Sipas sondazhit të kryer me sipërmarrësit fason në Shqaipëri, vetëm 37% e tyre kanë riinvestuar gjatë pandemisë për ta ndryshuar linjën e prodhimit, nga modë në veshje njëprdorimshme, por pjesa më e madhe po vuan dhe ka një të ardhme të pasigurtë dhe “nëse nuk veprohet menjëherë nga qeveria, në shtator-tetor shumica e fabrikave do të falimentojnë, një pjesë e tyre e kanë vënë drynin që tani duke qendruar pezull”.

Zekja thotë që për linjat e prodhimit të rrobave njëpërdorimshme ka shumë ofertë dhe situata është e favorshme që Shqipëria të kthehet një pikë strategjike për fasonët në rajon, por ka një problem thotë ai.

“Pa investime kapitale të menjëhershme, do ta humbim mundësinë. Sepse fasonët, si call centerat janë të lëvizshëm, shkojnë atje ku ka oportunitete. Ne kemi një problem; nuk kemi burime njerëzore, punojmë me një turn. A e zëvendësojmë dot Kinën ne me këto burime që kemi? Ndërmarrjet e tilla në Kinë janë mbi 300 veta dhe punojnë me tre turne. Prandaj duhet që administrate shtetërore të shpejtojë, të jetë efikase në zbardhjen e formulës dhe disbursimin e fondeve që ne të prodhojmë “Made in Albania” dhe të kthehemi në qendër rpodhimi për rajonin”- thotë Zekja.

Ai thekson se duhet ndërhyrë brenda shtatorit sepse koha nuk pret dhe  çdo sekondë e humbur është një e ardhme e munguar e sipërmarrjeve të pamundura shqiptare dhe e ekonomisë së vendit.

Burime të gazetës “Si” konfirmojnë se qeveria i ka marr fonde nga jashtë për të incentivuar këtë sektor, por sipas Zekjës, qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë