Taksa

Qeveria shtyn me dy muaj vetëdeklarimin e të ardhurave për të dypunësuarit

88 mijë personat e dypunësuar përgjatë vitit të kaluar dhe ata me të ardhura mbi 2 mln lek në vit kanë afat deri në fund të muajit qershor për të vetëdeklaruar këto të ardhura.

Qeveria ka ndërhyrë me një akt normativ te dispozitat kalimtare të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, duke zgjatur me dy muaj afatin për vetëdeklarimin e të ardhurave, që përfundoi në datën 30 prill.

Në rast të mosplotësimit të deklaratave brenda këtyre afateve, personat që janë subjekt i vetëdeklarimit të të ardhurave vjetore rrezikojnë të gjobiten me 5 mijë lekë dhe të paguajnë kamatëvonesë për çdo ditë që vonohet ky detyrim ligjor. Ndërkohë që në rastet kur bëhet vetëdeklarim i rremë i tyre deri në ndjekje penale.

Ministria e Financave thotë se shtyrja është bërë për shkak të kërkesës së shumë qytetarëve, që e kanë pasur të paqartë këtë proces.

Detyrimi për të dypunësuarit për të deklaruar të ardhurar, pavarësisht nga niveli i tyre bëhet për herë të parë, pas një ndryshimi ligjor që përcakton dy pagat do të llogariten si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë.

Deklarimi i të ardhurave bëhet online në faqen e tatimeve dhe të dhënat e detyrimit për t’u paguar dalin të paraplotësuara.

Rillogaritja e pagave si një e vetme do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga tatimi mbi të ardhurat personale zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj tatohen për diferencën me 23 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë