Lajme

Qeveria shqiptare jep 100 mijë euro ndihmë për Athinën

Tragjedia e Athinës ka tronditur mbarë Europën dhe shumë shtete kanë dhënë ndihmën e tyre. Ndërkohë, edhe qeveria shqiptare ka ofruar ndihmën e saj dhe do të japë 100 mijë euro për popullin fqinj. Deri më tani bilanci i viktimave është 80, ndërsa të plagosur janë 187 dhe shumë persona rezultojnë të zhdukur.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo shumë jepet për të lehtësuar pasojat e dëmeve të shkaktuara nga zjarret që përfshinë Athinën.

“Lutjet dhe mendimet tona kanë qenë me fqinjët tanë të mirë grekë dhe për shqiptarët që jetojnë atje. Ditët e fundit kanë qenë tmerrësisht tragjike, dhe ne shpresojmë që ky kontribut i joni modest, t’u vijë në ndihmë në këto kohë të vështira”, thuhet në njoftimin e qeverisë në “Twitter”.

Gjithashtu, kryeministri Rama shprehet në rrjetin social “Facebook” se Shqipëria është pranë Greqisë në këto orë tragjike.

“Shqipëria ndjehet veçanërisht pranë Greqisë fqinje në këto orë tragjike për ata që humbën të dashurit e tyre dhe po përballen me pasojat e dhimbshme të një zjarri të tërbuar! Qeveria Shqiptare sapo aprovoi një donacion në shenjë solidariteti me vëllezërit e motrat tona”, shkruan ai.

Po ashtu edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati si dhe kryebashkiaku Veliaj kanë shprehur solidaritetin e shtetit shqiptar dhe gatishmërinë për të ndihmuar popullin fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë