Politike

Qeveria “shkarkon” financiarisht Ademin, përplasja për fondet

Data 20 gusht ishte afati i fundit i mandatit zyrtar të kryebashkiakëve të zgjedhur katër vite më parë. Në mënyrë të menjëhershme, pa pritur që të kalonte ky afat, Dega e Thesarit në varësi të Ministrisë së Financave bllokoi fondet për Bashkinë e Shkodrës. Ky njoftim u bë në rrugë elektronike bashkisë së këtij qytetit, duke e vënë në dijeni se menaxhimi do t’i kalojë këshillit bashkiak.
“Përmes një emaili të orës 15:02, të ditës së sotme të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit na është komunikuar se “…sipas ligjit, kryetares së Bashkisë i mbaron mandati me datë 20.08.2019, ora 16:30 sipas orarit zyrtar, për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak që duhet të zgjidhë problemin”.
Por kryebashkiakja Voltana Ademi ka reaguar menjëherë ndaj këtij akti ku me anë të letre i është drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj dhe ka vënë në dijeni për këtë akt përfaqësuesit e ambasadave kryesore në vend të BE-së, SHBA-së, OSBE-së, të Gjermanisë dhe Italisë. Ky akt ne letrën e kryebashkiakes Ademi është cilësuar si në shkelje të ligjit “Për vetëqeverisje vendore”. Gjithashtu bëhet e ditur se Dega e Thesarit nuk ka pranuar të kryejë likuidimin e faturave për shërbimet e bashkisë së këtij qyteti, për të cilat është autorizuar nënkryetarja. Në këtë letër akuzohet Ministria e Financave se kanë bllokuar rrugën Oblikë-Velinaj-Alimetaj.

Letra e Voltana Ademit drejtuar ministres së Financave dhe ambasadorëve


Lufta politike mes Qeverisë dhe opozitës për dorëzimin e bashkive veçanërisht për Shkodrën pritet të ketë edhe pasoja të tjera ekonomike.

Ministria e Financave hedh poshtë akuzat e bashkisë

Ministria e Financave i është kundërpërgjigjur akuzave të Bashkisë Shkodër lidhur me situatën e krijuar  ku bën me dije se strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i kanë ndjekur nga afër këto procedura në përputhje më legjislacionin në fuqi. Ajo hodhi poshtë pretendimet për bllokim fondesh.

“Ditën e djeshme janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër,  të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore. Për këtë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Dega  e Thesarit, Shkodër,  ka gjithë dokumentacionin e nevojshëm  për sa më sipër. Kështu që bazuar mbi të gjitha  këto arsyetime që paraqitëm më lart,  Ministria e Financave  dhe Ekonomisë ju bën me dije, se ky dikaster  është në funksion të zbatimit të ligjit për të gjithë  qytetarët njësoj pa dallime”, thuhet në reagimin e ministrisë së Financave.

Mbi bazën e këtij qëndrimi, tashmë financat e bashkisë, qeveria i ka të “lidhura” jo me kryebashkiaken Ademi, por drejtuesen e re socialiste të këshillit bashkiak të Shkodrës.

Letra e bashkisë

Ademi i kalon firmën nënkryetares: Situata paprecedent dhe tranzitore

Voltana Ademi, reagoi pas qëndrimit të ministrisë së Financave, e cila theksoi se ka zbatuar ligjin dhe se nuk ka i ka bllokuar pagesat nëpërmjet thesarit. Si për të treguar se është në detyrë, ajo kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi inspektoi punimet që kanë nisur në një aks rrugor në fshatin Drisht të njësisë Postribë por edhe në fshatin Mes të kësaj njësie.

Ajo e cilëson këtë periudhë si tranzitore, dhe se do të vazhdojë të jetë kryebashkiake derisa sa, sipas saj, të ketë zgjedhje të reja për këshillin e kryetarin e bashkisë.

“Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, kur them që duhet t’i jepet mundësia për zgjedhje, duhet të jetë mundësi për alternativa zgjedhjesh. Legjitimiteti i Këshillit Bashkiak nuk e vendos kryetari i Bashkisë, reagimi qytetar ka qenë. Do ja lëmë qytetarëve të vendosin në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë. Bashkia e Shkodrës në asnjë rast nuk do të veprojë kundër ligjit. Kjo periudhë është periudhë tranzitore. Duhet të shkojmë medoemos në zgjedhje me zgjedhjet e pozicionit të këshillit dhe kryetarit të bashkisë”, deklaroi Ademi.

Ajo e cilëson të paimagjinueshme faktin se një drejtor i ministrisë së Financave të shprehet për mandate apo qasja politike lidhur me një komunitet dhe bashkinë, duke shtuar se nuk ka një shkresë zyrtare të Degës së Thesarit për lirimin e fondeve.

“Kam reaguar menjëherë ndaj kësaj sjellje. Shpresoj të zmbrapsen nga paligjshmëri, të tërhiqen nga veprimi i njëanshëm nga ana e ministrisë, pasi nuk mund të bllokohen shërbimet”, theksoi Ademi.

https://www.facebook.com/bashkiashkodres/videos/2511241072265904/?__tn__=kCH-R&eid=ARByiWYicCpSAI2Tf-MYmyaCQzGoeBeYNDhhvFT3NtxZXTA7w5a8WUYY5X7SNG0UIPJVouuHs_V187mb&hc_ref=ARSJupwP67JiNWEg2QzWHtu2DGqjd_LLzbBmyAm5b3pxfeumvpmrgfQ5Z3WS1yxypzE&fref=nf&__xts__[0]=68.ARDeG3DRxeQG9O8safoSenbvxKck415JZcWat19mYqG0jp07mKRe_kmFjNOs_Yw0arHTMSsptuzb74OVJcqrxe2Au1IakSvfwxyFdTNRoqw7VTNRrfUU8FqBcRxE9DsDc4uOJD30MsXfwNsHKz28g-fOGvxXDbVgd-VDl4TSTsUhhP7JDVjkTTOr9qLpzaLe2Z71aeSxOxhbSPw27HFRtf8gxyqyLhYuJrvGxWMn80-F0qME0qdhx7NCCIO7bI5b77UM8d12aBa4LQmo2ypAOGm2OoQx7gHO8KboOCe98P-4asmRQXwC-AODQGBIyJQcroaZX-AQ3vIV2AJFDdAGSmUR89pUt3clgKQ3vM7toBgurt4oW9vnj2bsV9UiexRA5dh1NXyvS6l-U3UjEqREjtIjgF-tdqjrzNFSJRFg5eVEA2uOoE6bbK_KJ_r0A8Ne5YnvvzPxh373VVD5zFsfKZNI2_XnwKR48nY18VlwBekiVrm4DFW-8LGwCXe0Yb6lz4qqZMU7

Këshilli i kryetari i bashkisë, për demokraten janë dy organeve të ndryshme që zgjidhen dhe në asnjë rast nuk interferojnë me njëri-tjetrin, por vetëm për vendimet e këshillit të bashkisë, apo që Ekzekutivi çon për shqyrtim. “Nuk kanë tagër të tjera ekstra ligjore, çdo veprim tjetër është në kundërshtim me ligjin”.

Kryebashkiakja Ademi, e vetëdijshme se mandati i ka mbaruar, duke e cilësuar si formal ka kaluar kompetencat për firmë te nënkryetarja Emilja Koliqi, e cila po merret me çështjet e thesarit.

Haxhimali: Shërbimet që i kërcënohen qytetarëve


Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali në prononcim për Gazeta “Si” e cilëson një akt të tillë si një shkelje të konventave ndërkombëtare. “Në aspektin e imazhit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare,: këto veprime bien ndesh me Kartën Europiane të vetëqeverisjes vendore të Këshillit të Europës, por nga ana tjetër na shfaqin vazhdimisht si vend me demokraci vendore të limituara dhe me varësi e kontroll të fortë dhe ndërhyrje arbitrare të qeverisë në pushtetin vendor”, shprehet Haxhimali.
Por pasojat që pritet të jenë më të rënda, kjo sa i përket anës ekonomike, pasi Thesari do të bllokojë edhe fondet sa i përket shërbimeve të qytetit, duke bllokuar edhe pagat e punonjësve. “Kjo është shumë më problematike sa i përket shërbimeve, pasi ky bllokim e paralizon veprimtarinë dhe punët e bashkive, bllokon pagesa dhe kontrata për kopshte, çerdhe e shkolla dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, pengon pagesat për pastrimin e qytetit, pengon çdo likuidim për paga dhe kontribute shoqërore e shëndetësore, si dhe çdo veprimtari tjetër të bashkisë sipas planit vjetor buxhetor dhe afatmesëm të miratuar nga institucionet përkatëse”, thekson Haxhimali për Gazeta “Si”.
Alarmin për mungesën e shërbimeve e ka dhënë edhe vetë Bashkia e Shkodrës, e cila ka renditur se veç bllokimit të rrugëve, preken edhe interesat e tjera. Shërbimi i gjelbërimit, shërbimin e varrezave, shërbimet për mirëmbajtjen e stadiumit “Loro Boriçi”, janë disa prej atyre që konstatohet nga bashkia.

Agron Haxhimali

Haxhimali ndërkohë thekson se akti i ndërmarrë nga Thesari i Shtetit bie ndesh me ligjin e “Vetëqeverisjes Vendore”, ku në nenin 60, pika 4 theksohet se “ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.
“Në aspektin ligjor, urdhri i thesarit akt absolutisht pa vlerë, dhe i paprecedentë. Thesari nuk mund të veprojë si gjykatë dhe vendimi është i pabazuar në ligj. Në aspektin moral, pas ngjarjeve me dorëheqjen e z. Pjetri, morali i këshillit bashkiak dhe mazhorancës si dhe institucioneve vartëse të tyre, si thesari që bën këto manovra false, ka rënë plotësisht, çka do të thotë se do jetë mirë të reflektojnë së paku në zbatim te ligjit dhe mos ta thellojnë konfliktin”, thekson Haxhimali.
Ndërsa konflikti politik po shoqërohet edhe me bllokimin e zhbllokim të financave, pasojat pritet t’i vuajnë qytetarët, pasi kriza e Shkodrës mund të zgjasë më shumë se sa parashikohet. Demokratët nga ana e atyre kanë paralajmëruar me përshkallëzimin e reagimit të tyre, duke i kërkuar qeverisë të mos e provokojnë, duke dhënë si sinjal kompromisi edhe faktin se Ademi do të jetë kryebashkiake deri në zgjedhjet e reja lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë