Ne rrjet

“Qeveria, Roja që vendos se kush hyn në dhomën e ligjit”

Duke iu referuar Albert Kamysë dhe Franc Kafkës, dy prej emrave më të zëshëm të letërsisë së absurdit, ish-gjyqtari i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku analizon përmes një artikulli absurditetin që ka karakterizuar ndër vite sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe dështimin për ta adresuar këtë absurditet në kuadër të reformës në drejtësi. Bianku thotë se qëllimi i tij është ngritja e problemeve që janë konceptuale dhe sistematike të pushtetit gjyqësor dhe i të gjithë sistemit tonë shtetformues dhe kushtetues.

Bianku thotë se artikulli u drejtohet në mënyrë të veçantë “kumbarëve” të reformës në drejtësi, “Të huajve”. Termin “Të huaj” nuk e përdor në kuptimin juridik të një shtetasi të huaj, por në kuptimin figurativ të një personi “të huaj”, të paditur për sistemin e drejtësisë, duke pasur parasysh Mersonë, personazhin e Albert Kamy në veprën “I Huaji”.

“Në fakt evokimi i këtij të fundit mund të jetë i mjaftueshëm për ata që e njohin shumë më mirë se unë letërsinë për të shpjeguar rolin e “të huajve” në Shqipëri në raport me sistemin e drejtësisë dhe sistemin kushtetues në Shqipëri dhe me problemet konceptuale dhe sistemike që ky i fundit ngërthen. Ky evokim është edhe më i vlefshëm kur analizon pasojat, qoftë edhe të përkohshme të reformës në drejtësi”, thotë autori.

Bianku thekson se problemi i vërtetë i drejtësisë në Shqipëri është ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv dhe mosekzekutimi i vendimeve të ndërmjetme dhe përfundimtare të gjykatave, duke shfrytëzuar përvojën e gjatë si anëtar i Gjykatës së Strasburgut dhe precedentët që ka kaluar nëpër duar në këtë gjykatë. Ai flet për rëndësinë e madhe që kanë respektimet e vendimeve të ndërmjetme të gjykatave, si thelbësore për të grantuar një proces gjyqësor në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Situata kur qindra shqiptarë kanë pritur dhe ende presin me vite që vendimet gjyqësore që kanë fituar të ekzekutohen, Ledi Biankut i kujton pasazhe nga vepra “Procesi” e Franc Kafkës, si më poshtë:

“Tek porta e Ligjit qëndronte një roje. Një njeri nga rrethinat arrin para tij dhe i lutet ta lejojë të hyjë tek Ligji. Por roja i thotë që nuk mund ta lejojë të hyjë në atë moment. Njeriu nuk kishte pritur vështirësi të tilla, ai kishte menduar se Ligji duhet të ishte i arritshëm për të gjithë dhe në çdo kohë, por tani, duke vëzhguar më mirë rojën, pallton e tij prej leshi…, ai vendos të presë gjithsesi derisa të lejohet të hyjë.… Porta e ligjit qëndron e hapur, si gjithmonë dhe roja del nga njëra anë e saj, kështu njeriu përkulet për të parë brenda përmes portës. Kur roja e sheh, qesh dhe i thotë ‘Nëse të tërheq aq shumë, atëherë përpiqu të hysh, ndërkohë që unë të ndaloj. Por ki kujdes: Unë jam i fuqishëm…”.

“Rojen” për të cilën flet Franca Kafka në veprën e famshme të tij me personazh kryesor bankierin Josef K. të cili askush nuk i thotë se për çfarë është akuzuar dhe arrestuar dhe e vetmja rrugë që i ngel është që të pranojë fajin, Ledi Bianku e gjen tek Qeveria shqiptare.

“Në Shqipëri vlera formale apo edhe substanciale e një vendimi gjyqësor është zero nëse nuk do ekzekutivi. Problemi në Shqipëri është Roja, pavarësisht se e imagjinojmë me pallto apo me poture, të veshur si shqiptar, si sovjet apo si europian”, thotë ai.

Në analizë, Bianku sjell një shembull të freskët amerikan sesi duhet të funksionojë në të vërtetë drejtësia.

“Turn that plane around”. Ky ishte urdhri që gjyqtari Emmet Sullivan i gjykatës së rrethit në Uashington, u dha më 9 gusht 2018 autoriteteve amerikane, për një avion në të cilin po udhëtonin drejt El Salvadorit, Carmen dhe e bija e saj, ndërkohë që gjyqtari Sullivan po shqyrtonte ankimin e tyre për azil në SHBA. Gjyqtari Sullivan u shpreh: “Dikush … kërkon drejtësi para një gjykate të Shteteve të Bashkuara dhe dëbohet jashtë, ndërkohë që avokatët e saj po pretendojnë dhënien e drejtësisë për të?! Kjo është mizore! Kthejeni mbrapsht atë avion dhe sillini ata njerëz përsëri në Shtetet e Bashkuara. Sullivan ishte aq i prerë me urdhrin e tij të ndërmjetëm, sa ai u shpreh se Jeff Sessions, Ministri i Drejtësisë në SHBA në atë kohë dhe çdo zyrtar tjetër që mund të pengonte kthimin e Carmen dhe të bijës në SHBA do të akuzohej prej tij për contempt to court – cenim i autoritetit të gjykatës. Në fakt avioni u ul në San Salvador, por pas urdhrit të gjyqtarit Sullivan, as Carmen dhe as e bija nuk zbritën prej tij. Me të njëjtin avion ato u kthyen ne SHBA në pritje të vendimit të gjyqtarit Sullivan. Mesazhi i këtij shembulli nuk është e drejta e Carmen dhe së bijës për të migruar në SH.B.A. por autoriteti i një gjyqtari amerikan dhe kuptimi i vendimit që ai do të merrte në lidhje me çështjen e tyre”, thekson Ledi Bianku.

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku

Ish-gjyqtari i Strasburgut shpjegon më poshtë çfarë e lidh realitetin shqiptar me këtë rast. Ai kujton dënimin e dhënë nga Gjykata e Strasburgut për Shqipërinë për ekstradimin e Almir Rrapos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke shpërfillur vendimin e ndërmjetëm të kësaj gjykate, që kishte urdhëruar pezullimin e procedurave të ekstradimit për në SHBA deri sa gjykata të përfundonte shqyrtimin e çështjes. Rrapo, ish-sekretar i Ministrisë së Jashtme në kohën që ky dikaster drejtohej nga Ilir Meta u ekstradua në 2010 në drejtim të SHBA, që kishte ngritur ndaj tij 9 akuza, që nga trafiku i lëndëve narkotike, deri te dyshimet për bashkëpunim në vrasje.

Në atë kohë, Ledi Bianku thotë se besonte se problemi qëndronte tek paqartësia e vlerave të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare në sistemin ligjor shqiptar. Por, një rast i dytë e ka bërë që të ndryshojë mendim.

“Çështja që më bëri ta rishikoj në themel këtë mendim u vendos në 2018. Vendimi Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë, i 11 janarit 2018, shpalosi tërësisht problemin më endemik të sistemit kushtetues në Shqipëri. Në atë çështje një gjykatë administrative e shkallës së parë vendosi që autoritetet shqiptare mos merrnin asnjë masë derisa të vendosej në themel nëse ishte e ligjshme, apo jo një ndërtesa që synohej të prishej. Pa kaluar një muaj nga ky vendim i gjykatës administrative ndërtesa u prish, në kundërshtim të hapur me urdhrin e gjykatës. Themeli i vendimit, pra nëse ndërtesa ishte e ligjshme apo e paligjshme, nuk kishte më asnjë kuptim”, kujton Bianku.

Rasti në fjalë lidhet me shembjen e pallatit të ndërtuar nga vjehrri i Lulzim Bashës në Vlorë në 2013, që u hodh në erë me tritol pavarësisht se gjykatat shqiptare kishin vendosur të mos kryhej asnjë veprim deri në daljen me vendimin përfundimtar mbi ligjshmërinë e ndërtesës, apo jo. Për këtë shkelje, shteti shqiptar u gjobit me 17 mln euro nga Gjykata e Strasburgut.

Por, si të mos mjaftonte shembja përkundër vendimit të gjykatës, Ledi Bianku thotë se absurdi juridik vazhdoi.

“Dy gjykata administrative, edhe e shkallës së parë edhe e apelit vendosën, si pasojë (e shembjes), mbi masën e kompensimit ndaj ankuesve për të gjitha dëmet që vinin nga prishja e ndërtesës, në kundërshtim me urdhrin gjyqësor. Përsëri ekzekutivi do ndërhynte. Jo vetëm që nuk do respektonte vendimet e gjykatave mbi masën e dëmshpërblimit, por i prishte vendimet gjyqësore në themel dhe vendoste një masë tjetër! Ndërkohë që ankuesit ankoheshin në gjykata, pala kundërshtare, Qeveria, ankohej…tek Qeveria dhe kjo e fundit vendoste”, shkruan ai.

Nga këta shembuj, Bianku arrin në përfundimin se në Shqipëri Gjykata e Lartë ka qenë gjithmonë Qeveria.

“Në këtë vend Gjykata e Lartë nuk është ajo që ishte, atëherë kur ishte, e që drejtohej nga Zaganjori. Në këtë vend Gjykata e Lartë është Ajo, që sot drejtohet nga Rama. Po vendosi kjo e fundit, vendimet e kësaj janë në fuqi dhe prishin çdo vendim tjetër. Nuk ka gjykatë që guxon t’i dalë kundra?! Dhe si?! Roja është i fuqishëm, madje i plotfuqishëm”, mbyll artikullin e tij, ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut.

Ky artikull është punuar me shkurtime nga analiza e plotë e publikuar nga autori. Për analizën e plotë të Ledi Biankut KLIKO KËTU

Më Shumë