Gazeta Si – Kanë dalë në dritë detaje të reja befasuese lidhur me ndërrimin e fshehtë të avionit nga Donald Trump muajin e kaluar, pas samitit të NATO-s në Turqi.
Gazeta “Washington Post“ zbuloi së fundmi se për segmentin e parë të udhëtimit – nga Stambolli në një bazë ushtarake britanike – Trump hipi në Air Force One në sy të kamerave, por më pas zbriti fshehurazi përmes një ashensori të pasmë për ngarkesa ushqimore; ai u transportua me një furgon shërbimi drejt një avioni ushtarak aty pranë, me të cilin përfundoi fluturimin për në Angli.
Arsyeja ishte kërcënimi për një sulm me raketa ndaj presidentit të SHBA-ve nga ana e Iranit, të cilin agjencitë e inteligjencës e vlerësuan si të besueshëm.
Dje dolën në dritë detaje të reja. A bëhej fjalë për një “avion mashtrues” (decoy plane), ku pasagjerët shërbenin si objektiva të mundshme lëvizëse?
Ajo që dihet me siguri është se, krahas gazetarëve, në “fluturimin mashtrues” ndodheshin Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ishte në fluturimin e fshehtë së bashku me Trumpin.
Anëtarët e stafit presidencial, Natalie Harp, Walt Nauta dhe Dan Scavino ishin gjithashtu me Trumpin – fillimisht në furgonin e shërbimit të ushqimit dhe më pas në fluturimin ushtarak.
Rubio dhe Bessent ishin në dijeni të operacionit; në fakt, është procedurë standarde – pavarësisht kërcënimit specifik – që presidenti dhe tre zyrtarë kyç të ekzekutivit të mos udhëtojnë me të njëjtin avion (radha e pasimit të detyrës në rast vdekjeje ose paaftësie të presidentit është: zëvendëspresidenti – i cili, siç dihet, udhëton gjithmonë veçmas nga presidenti – i ndjekur nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti pro tempore i Senatit dhe Sekretari i Shtetit).
Shumë bashkëpunëtorë të tjerë të Trumpit ndodheshin në “fluturimin mashtrues” (që shërbente si diversion): Stephen Milleri i besuar – tek i cili Trumpi mbështetet për të artikuluar pikëpamjet dhe ndjesitë e bazës së lëvizjes MAGA – së bashku me Will Scharf, Steven Cheung, Mike Needham, Ross Worthington dhe Monica Crowley.
Dje, Trumpi konfirmoi lajmin ekskluziv të “Washington Post”: “Besoj se kishte një kërcënim, por nuk bëra shumë pyetje; ekipi i sigurisë thotë një gjë dhe unë duhet të bëj atë që thonë ata”.
Pjesa vërtet e pakëndshme: para se të dilnin në shesh informacionet mbi kërcënimet iraniane, Trump kishte deklaruar në rrjetet sociale se më 8 korrik do t’i ndërronte avionët presidencialë – “për hir të së shkuarës” – dhe do ta dërgonte në Mbretërinë e Bashkuar avionin e ri (të cilin demokratët e kishin pagëzuar me ironi “Qatar Force One”, pasi ishte dhuruar nga Katari), i cili ishte projektuar për të shërbyer si Air Force One.
Ai tha se donte “t’u jepte heronjve tanë të mëdhenj ushtarakë mundësinë ta admironin shtesën tonë të bukur e të re në flotën e Forcave Ajrore”.
Atë ditë, Trump e kishte mohuar ekzistencën e ndonjë kërcënimi aktiv. “Po thoni se nuk ka ndonjë problem sigurie?” – pyeti një gazetar, duke iu referuar faktit se, në një rast të pazakontë, Trump po udhëtonte me dy avionë Air Force One: të vjetrin dhe të riun.
“Jo. Jo. Pse duhet të kishte?”, – ishte përgjigjja e tij. Një gënjeshtër, siç duket qartë tani. Dhe kur u pyet nëse kishte “ndonjë çështje tjetër”, ai u përgjigj: “Jo”. Një tjetër gënjeshtër.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje