Para

Qeveria rishikon buxhetin, 13 mld lekë shkojnë për rindërtimin

Burime nga Ministria e Financave për gazetën “Si” bëjnë me dije se nga arka e shtetit qeveria ka planifikuar ti dedikojë 13 mld lekë rindërtimit dhe 7 mld të tjera priten nga donacionet.

Pavarësisht se pak ditë më parë tek prezantonte Platformën e Rindërtitmit kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të investonte rindërtimin nga buxheti i shtetit pa cënuar ekuilibrat makroekonomikë, Ministria e Financave parashikon zgjerim të deficitit buxhetor që nga ky vit ku jemi deri më 2022.

Në buxhetin fillestar për 2020 Ministria e Financave parashikonte një deficit buxhetor 1,6% dhe do të kritikohej nga kreu i Komisionit Kuvendor të Financave të asaj kohe Arben Ahmetaj, që edhe pa ngjarjet e tërmetit, do ti tingëllonte e pamundur.

Këtë vit deficiti buxhetor arrin në 2.2 % të PBB-së i rishikuar, duke e çuar masën e borxhit në rreth 39 miliardë lekë.

Rritja e deficitit me 10 miliardë lekë pritet të financohet nga tregu i brendshëm nëpërmjet obligacioneve dhe bonove të thesarit. Ndërsa 3 miliardë lekë do të jenë rialokime të shpenzimeve të tjera buxhetore.

Ministria e Financave parashikonte gjithadhtu që deficiti (diferenca ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore) në vitin 2021 të ishte 22,5 miliardë lekë.
Por me dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019, deficiti buxhetor për vitin 2021 arrin në 37 miliardë lekë ose 15 miliardë lekë më shumë.

Në vitin 2021 deficiti buxhetor arrin në 2 % të PBB-në nga 1.2 për qind që ishte plani para se të ndodhte ngjarja e tërmetit.

Zgjerim të defiçitit do të ketë edhe në vitin 2022.

Sipas rishikimeve të Ministrisë së Financave të ditëve të fundit në vitin 2022 deficiti buxhetor do të arrijë në 1.7% të PBB-së nga 1.1 % që ishin projeksionet para tërmetit.
Sipas planit të qeverisë, pavarësisht rritjes së deficitit buxhetor, buxheti do të vijojë të jetë me balancë primare (përjashtuar shpenzimet për interesa).

Sipas llogarive, përmes rritjes së deficitit buxhetor, pritet të gjenerohen rreth 300 milionë euro, respektivisht; 81 milionë euro këtë vit, 122 milionë euro në vitin 2021 dhe pjesa e mbetur në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë