Biznes

Qeveria propozon rezidencë virtuale për të huajt që duan të hapin biznes në Shqipëri

Sipas parashikimeve të këtij projektligji, të gjithë shtetasve të huaj do t’u ofrohet mundësia që të hapin një biznes në Shqipëri pa shkelur fare në territorin e vendit tonë

Qeveria propozon ngritjen e një sistemi virtual për dhënie “rezidence” për shtetas të huaj, që do t’u mundësonte që pa u paraqitur fare në Shqipëri të hapnin një biznes.

Propozimi bëhet në projektligjin “për qeverisjen elektronike” të siguruar nga Gazetasi.al. Sipas relacionit shoqërues, projektligji përcakton sistemin E-Rezidenca për shtetasit e huaj, që u mundëson atyre që të aplikojnë për rezidencë virtuale në Shqipëri për të përfituar të drejtën e hapjes së një biznesi.

Për këtë kategori sipërmarrësish, projektligji parashikon ngritjen e Postës Elektronike Shtetërore, që do të jetë e vetmja rrugë komunikimi elektronik zyrtar në marrëdhëniet institucion-shtetas-institucion, institucion-biznes-institucion dhe biznes-shtetas-biznes.

Pra, sipas parashikimeve të këtij projektligji, të gjithë shtetasve të huaj do t’u ofrohet mundësia që të hapin një biznes në Shqipëri pa shkelur fare në territorin e vendit tonë.

Legjislacioni aktual në fuqi kërkon nga të gjithë shtetasit e huaj që duan të hapin biznes në vendin tonë që përveç lejeqëndrimit të kenë edhe një rezidencë, apo adresë qëndrimi të përhershme, ose të përkohshme.

Praktika e rezidencës virtuale nuk është krejt e panjohur. Vendi i parë në botë që e aplikoi atë është Estonia, që më pas u ndoq edhe nga disa vende të tjera. Aktualisht, numri i shteteve që aplikojnë rezidencën virtuale për të thithur investitorë në të gjithë botën janë më pak se 20.

Kjo formë nxitjeje për të tërhequr investime është qortuar dhe akuzuar se lë shteg që persona me probleme me ligjin në vendet e tyre të pastrojnë paratë e korrupsionit dhe trafiqeve përmes rezidencës virtuale. Për këto arsye, Estonia njoftoi në muajin gusht se do të përjashtonte nga e drejta e rezidencës virtuale të gjithë ata shtetas që “kanë probleme me ligjet, apo përbëjnë kërcënim për rendin publik”.

Ndërkohë, projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e një agjencie të re shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë së Informacionit, AKTI. Kjo e fundit do të drejtohet nga një person, që do të jetë Drejtori i Përgjithshëm, ndërsa bordit drejtues i jepen kompetenca vetëm këshillimore.

AKTI, ndër të tjera ka për detyrë mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemit E-Rezidenca. Gjithashtu, kjo Agjenci merr edhe tenderat që lidhen me pajisjet e teknologjisë së komunikimit për institucionet e administratës shtetërore në varësi të Qeverisë, përfshirë këtu edhe tenderat e klasifikuara “Sekret Shtetëror”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë