Politike

Qeveria, paratë ia do Diasporës, por harron të drejtën e votës

Paratë e dërguara nga emigrantët për familjet shqiptare qeveria synon t’i kanalizojë, duke mos i lënë për qëllime konsumi, por për kryerjen e investimeve. Në strategjinë e hedhur për konsultim nga Ministri i Shtetit për Diasporën, e shoqëruar si Plan Veprimi për vitet 2021-2025, parashikohen disa masa edhe për qëllimet e karakterit ekonomik. Sipas këtij dokumenti, dërgesat e parave të migrantëve (remitancat) kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm përgjithësisht për konsumimin apo apo mbijetesën e përditshme të familjeve shqiptare.
“Me anën e dërgesave në para familjet kanë përmbushur nevojat e tyre bazë për ushqim, veshmbathje, ilaçe, apo për ndërtimin dhe mobilimin e shtëpisë. Është e rëndësishme të theksohet varësia e ekonomisë shqiptare tek remitancat, që janë rreth 9-15 për qind e PBB-së së vendit dhe rreth 15% e të ardhurave të familjeve shqiptare. Kjo është arsyeja së pse Shqipëria renditet në listën e vendeve me varësi të lartë tek remitancat, siç njihen ndryshe dërgesat në para”, thuhet në këtë raport. Qeveria me këtë dokument strategjik synon që këto para t’i kthejë në investime duke u krijuar lehtësira emigrantëve.

Shpërndarja e emigrantëve dhe organizimi i komuniteteve shqiptare jashtë vendit


Brenda 2021 parashikohet të krijohen mundësitë për krijimin e një Qendre të Regjistrimit të Biznesit vetëm për emigrantët. Si hap i parë është krijimi i Portalit Elektronik për Diasporën, ku parashikohet dhënia e informacionit për sektorët kryesorë të zhvillimit të Shqipërisë. Ministri i Diasporës parashikon hartimin e një analize të detajuar të situatës aktuale të tregut në Shqipëri; duke renditur listën e prioriteteve dhe rekomandimeve për institucionet se si të tërheqin diasporën dhe investimet e huaja.

Dokumenti mbi draft strategjinë e hartuar nga ana e qeverisë


Në Programin për Origjinë Shqiptare të Prodhimeve, parashikohet që brenda 2020 të krijohet Qendra e Biznesit dhe të themelohet Dhoma e Biznesit të Diasporës. Përfshirja e Diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit, sipas këtij dokumenti të siguruar nga Gazeta "Si", do të përqendrohet në këto fusha: krijimin e një Dhome Tregtie Biznesi të Diasporës; ofrimin e një kuadri ligjor për investimet nga Diaspora dhe ngritjen e një Skeme Bashkërendimi dhe Rrjetëzimi të Profesionistëve të Diasporës.
“Ky komponent do të realizohet ngushtësisht me Kosovën, ndaj një hap i rëndësishëm në këtë aspekt do të jetë hartimi i një plani të përbashkët institucionale me zyrën e IOM-it në Tiranë. Strategjia Kombëtare do të nxisë pjesëmarrjen e diasporës në procesin e zhvillimit ekonomik të vendit. Për më tepër, do të inkurajohet përthithja e investimeve të diasporës, krijimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme në disa fusha, përfshirë bujqësinë, industrinë e ushqimit dhe zhvillimin e zonave rurale. Me anën e Strategjisë Kombëtare do të punohet për të krijuar një klimë të favorshme për investimet nga diaspora nëpërmjet aktiviteteve për stimuj fiskalë, shpërndarje informacioni, duke ulur korrupsionin, risqet, apo duke përmirësuar elementë të tjerë që e bëjnë të mundur klimën e investimeve.
“Strategjia synon të ketë harmonizim me planet vendore dhe sektoriale zhvillimore që po zbatohen nga ministritë e tjera të linjës, duke e pozicionuar diasporën si një vlerë të shtuar për këto plane zhvillimi. Përfshirja në një kuadër specifik sektorial do të ofrojë angazhim të posaçëm nga diaspora duke qenë në përputhje edhe me synimet e vetë komunitetit të diasporës. Për më tepër, strategjia do të synojë të ofrojë qasje në të gjithë gamën e potencialit të investimeve, duke mbështetur si ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe zhvillimin e madh infrastrukturor”, thuhet në këtë dokument.

Vota e emigrantëve dhe regjistri
Vota e emigrantëve është një ndër premtimet kryesore të Partisë Socialiste. Në këtë dokument parashikohet gjithashtu përfshirja e diasporës në sistemin zgjedhor dhe politik, si diçka e rëndësishme, pasi bën të mundur angazhimin dhe përfshirjen e ekspertizës në administratën shtetërore. Por në këtë strategji nuk ka të parashikuar një afat, ose nëse emigrantëve do të mund t’u sigurohet votimi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Premtimi i PS-së është që me reformën aktuale zgjedhore të mundësohet edhe vota e emigrantëve, por deri më tani nuk ka asnjë hap konkret se si do të realizohet. Në vitin 2018 u organizua një aktivitet nga Parlamenti për votën e emigrantëve, ku u bë e ditur se 1/3 e shqiptarëve jetojnë e punojnë jashtë vendit. Por deri tani strukturat shtetërore kanë mbetur në vendnumëro.

Nga aktiviti i zhvilluar për samitin e Diasporës nga qeveria. Gazeta Si 3 nëntor 2019

Strategjia e qeverisë thekson se krijimi i bazë së të dhënave për organizatat e diasporës do të jetë një mekanizëm i rëndësishëm informacioni. Ajo do të luajë disa role: Do të mbështesë të drejtën e diasporës për të votuar; do të ndihmojë ngritjen e rrjeteve profesionale jashtë vendit; dhe do të funksionojë si një server me informacion për potencialin dhe kapacitet e diasporës sipas profesioneve. Si hap i parë parashikohet vlerësimi dhe zgjerimi i Regjistrit Kombëtar Civil me të dhëna për migrantët dhe rishikimi periodik i bazave ligjore për regjistrimin e emigrantëve, duke planifikuar ngritjen e rrjetit dhe infrastrukturës së duhur. Gjithashtu parashikohet përgatitja e një regjistri online për studentët shqiptarë që studiojnë jashtë dhe për përgatitja e një regjistri për shtetasit shqiptarë të privuar nga liria dhe që gjenden nëpër burgje jashtë vendit.

Për miratimin e këtij dokumenti janë parashikuar tre faza. Faza e parë do të jetë periudha për mbledhjen e opinioneve me shkrim nga individë dhe ekspertë të ndryshëm, deri në nëntor 2019. Faza e dytë do të jetë diskutimi në publik i projekt-dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Diasporës, deri në mars 2020 dhe faza e tretë do të jetë përmbledhja dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare, deri në qershor 2020. Të tre fazat e mësipërme do të kenë fleksibilitet në funksion të realizimit të një dokumenti sa më të plotë. Deri më tani në Tiranë janë zhvilluar dy samite të Diasporës, një në vitin 2016 dhe një tjetër në mars të vitit 2019. Në të janë ftuar presidentët e Kosovës, politikanë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësues të Diasporës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë