Politike

Qeveria nuk i do të gjitha paratë e premtuara për tërmetin

Megjithëse ishte e uritur për ndihmë financiare nga donatorët qeveria për momentin ndihet e ngopur dhe nuk do t’i përdor të gjitha paratë për rindërtimin pas tërmetit. Më 17 shkurt në Bruksel, Shqipërisë iu premtuan 1.15 miliard euro në konferencën e donatorëve. Rreth 300 milionë euro janë donacione, ndërsa pjesa tjetër u ofrua në formën e kredive të buta dhe të favorshme për procesin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Janë rreth 800 milionë euro që janë ofruar kryesisht nga institucione financiare ndërkombëtare, që nga Banka Islamike, Banka Botërore dhe banka të tjera. Por, me sa duket qeveria nuk dëshiron ta tërheqë të gjithë këtë shumë . Kryeministri Edi Rama e shpejgoi këtë qëndrim paksa të çuditshëm, gjatë prezantimit të modeleve të banesave në zonat rurale, nga ku pritet që procesi i rindërtimit të fillojë më së pari.

“Kreditë janë super të favorshme, por jo domosdoshmërisht do të na duhet e gjithë shuma në këtë fazë. Ne nuk kemi asnjë problem për të mbuluar financiarisht këtë rindërtim që po bëjmë”, deklaroi kryeministri.

Por njëri problem janë paratë dhe një tjetër problem është mungesa e krahut të punës, e cila vazhdon të mbetet një alarm i kuq për qeverinë. Një ide e mëparshme e sanksionuar edhe me lehtësi ligjore është tërheqja e krahut të punës nga jashtë. Të premten kryministrit tha se po mendon që “për të nxitur dhe tërhequr punonjës do t’u kërkojë kompanive që do të merren me procesin e rindërtimit që të ofrojnë paga të kënaqshme për punëtorët”.

“Me këtë proces hapet një front i madh punësimi, ku qëllimi ynë është që të kërkojmë nga kompanitë që do të hyjnë në proces si fituese të garave që të vendosin paga të konsiderueshme dhe jo paga të ulta, apo minimale për punëtorët”, u shpreh Rama.

Kryeministri dha dy afate se kur do të hyjnë në shtëpitë e reja banorët e prekur nga tërmeti. Për zonat rurale tha se ata do të hyjnë në shtëpitë e reja brenda këtij viti, ndërsa për banorët që do të strehohen në pallatet që do të ndërtohen në zonat e përcaktuara në Tiranë e Durrës dha si afat vitin e ardhshëm.

Qeveria prezantoi tre modelet e banesave individuale që do të ndërtohen në zonat rurale të goditura nga tërmeti. Modelet fillojnë nga shtëpi me hapësirë 60 metër/katrorë deri në 100 metër/katrorë. Modeli i parë janë banesat me hapësirë nga 60 deri në 70 metër/katrorë, të cilat do të përfitohen nga familje deri në dy anëtarë. Modeli i dytë janë banesa me hapësirë nga 70 deri në 90 metër katrorë, që do të përfitohen nga familje deri në katër anëtarë, ndërsa modeli i tretë është 90 deri në 100 metër katrorë që do të përfitohen nga familje me 5 ose më shumë anëtarë.

Kryeministri Edi Rama tha se bëhet fjalë për ndërtesa që kanë garancinë e paprekshmërisë së tyre, ndërsa ministri Ahmetaj tha se këto modele janë të detyruara t’i zbatojnë edhe fondacionet e bamirësisë.

“Nuk do të ketë modele përveç tre modeleve dhe tre tipologjive që ne prezantuam, edhe shoqatat e bamirësisë nuk do të dalin dot jashtë këtyre rregullave ligjore. Fondi është i trashgueshëm. Grantet janë 295 mln euro, një pjesë do të kalojnë përmes buxhetit, por të gjitha do të koordinohen dhe orientohen nga qeveria”, deklaroi ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë