Nga Gazeta ‘Si’- Disa muaj pas debatit publik mbi parkun “Durana” ka hyrë në fuqi një ligj që legjitimon pikërisht këtë skandal.
Me dekretin e presidentit, ligji i ri lejon që një park teknologjik të funksionojë edhe virtualisht ndërsa bizneset përfitojnë njësoj lehtësirat fiskale, ajo çfarë ndodhte edhe më herët.
“’Park virtual’ është një formë organizimi i parkut teknologjik dhe shkencor, i cili krijohet në marrëveshje midis zhvilluesit dhe institucionit përgjegjës, pa kërkuar domosdoshmërisht një sipërfaqe të përcaktuar trualli. Ai funksionon përmes infrastrukturës digjitale dhe ofron lehtësitë rregullatore dhe fiskale të parashikuara në këtë ligj”, thuhet në dokument.
Ky ishte dhe konflikti kryesor në skandalin “Durana”, një park teknologjik që në praktikë nuk ekzistonte, por ku mbi 50 biznese përfitonin lehtësira fiskale pa paguar taksa. Sipas ligjit të mëparshëm, këto përfitime lejoheshin vetëm nëse bizneset ishin realisht të vendosura fizikisht në park në Xhafzotaj.
Ligji i ri formalizon përfshirjen e aktiviteteve si datacenter-at dhe shërbimet digjitale si pjesë e funksionimit të parqeve. Në praktikë, kjo do të thotë se parqet teknologjike mund të funksionojnë në forma të ndryshme: fizike, virtuale apo hibride, në varësi të modelit të biznesit dhe marrëveshjeve përkatëse.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është përfshirja më e drejtpërdrejtë e institucioneve të arsimit të lartë. Universitetet mund të operojnë brenda parqeve, të ofrojnë arsim dhe trajnime, si dhe të zhvillojnë kërkim shkencor në lidhje me aktivitetet e parkut.
Ligji vendos një afat prej 15 ditësh pune për trajtimin e kërkesave për leje dhe licenca nga institucionet publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje