Treg

Qeveria “kap” tregun imobiliar; dhënia dhe heqja e licencave në dorë të Ministrisë së Drejtësisë

Qeveria ka gati një projektligj përmes të cilit synon që të sistemojë tregun e ndërmjetësimit të pasurive të palujtshme, apo njohur gjerësisht si "agjentët imobiliarë".

Drafti është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe në relacionin shoqërues thuhet se qëllimi i tij është “mbrojtja dhe garantimi i ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar”.

Projektligji konsiderohet edhe si një mekanizëm për të ndihmuar në luftën kundër pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe të tregut të pasurive të paluajtshme, përmes ngritjes së një regjistri dhe baze të dhënash për të gjithë agjentët imobiliarë, që nga ana tjetër detyrohen, sipas këtij propozimi, që të ruajnë të dhënat e çdo transaksioni që kanë ndërmjetësuar deri në 5 vite.

Në relacion thuhet se ky projektligj është edhe rekomandim i Moneyval, agjencisë europiane kundër pastrimit të parave.

“Një nga masat kryesore është pikërisht ngritja e një legjislacioni për licencimin e ndërmjetësve të pasurive të patundshme në mënyrë që bashkëpunimi për parandalimin e pastrimit të parave të kryhet edhe nëpërmjet masave të marra për licencimin e tyre dhe formalizimin e tregut, i cili ndikon drejtpërdrejtë në tregun e shitblerjeve të pasurive të patundshme që është një nga elementët kyç të pastrimit të parave në Shqipëri sipas raportit”, thuhet në relacionin shoqërues të draftit. 

Drafti kërkon që çdo person fizik apo juridik që do të ushtrojë profesionin e agjentit imobiliar duhet të licencohet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, pasi të ketë kaluar më parë provimin e licencimit. Provimi propozohet që të mbahet dy herë në vit, ndërsa pranë kësaj ministrie do të ngrihet edhe baza e të dhënave për të gjithë agjentët në treg.

Po ashtu Ministria në rast të çdo shkelje të evidentuar ka të drejtë sipas ligjit të heqë licencën subjektit.

Aktorët e tregut kërkojnë heqjen e këtij kontrolli radikal

Aktorët e tregut thonë se projektligji ka synim kryesor Parandalimin e Pastrimit të Parave si rekomandim i Moneyval, por kjo nuk justifikohet që qeveria ta kontrollojë në mënyrë radikale këtë aktivitet që ka një strukturë vetërregullimi dhe është subjekt i ligjit.

Sipas Dritan Cakës kreut të Shoqatës së Ndërmjetësimit të Pasurive të Paluajtshme, sektori ku ai operon nuk ka në dorë as kontrata, as ankande, “Këto i kanë në dorë noterët dhe përmbaruesit. Ne thjesht jemi subjekt ndërmjetësues mes shitësit dhe blerësit dhe jemi subjekt i ligjit ku jemi të detyruar të raportojmë kontratat një herë në vit pranë Drejtorisë së Pastrimit dhe Parandalimit të Parave. Pra ne qeveria na kontrollon, nuk ka pse të bëjë një kontroll më shumë se ç’duhet. përmes dhënies dhe heqjes së licencave. Këtë duhet ta bëjë dhoma sipas meje”.

Përfaqësues të tjerë thonë se projektligji adreson vetëm 50% të kërkesave të industrisë dhe duhet riparë vetërregullimi dhe vlerësimi i pronës në mënyrë të detyrueshme. Megjithatë, thonë përfaqësuesit e tregut imobiliar, ky është një hap i rëndësishëm për të rregulluar tregun ku ata operojnë.

“Ligji ka për qëllim ndërhyrjen në një sektor të lirë duke e bërë atë sektor të kontrolluar dhe ka si motivues kryesor rregullimin e pastrimit të parave.

Ne si kompani Globale me Standarde dhe kërkesa të larta mirëpresim çdo ligj dhe çdo përmirësim tjetër që rrit standarded dhe përmirëson kuadrin ligjor.

Javët e fundit, në konsulta publike me Ministrinë e Drejtësisë edhe ne edhe shoqata, më vjen mirë të them edhe kompanitë konkurente, kemi punuar për permirësime teknike të këtij ligji në mënyrë që të adresojë, jo vetëm nevojat e shtetit për përmirësimin e qasjes ndaj parandalimit të pastrimit të parave, por edhe nevojat e sektorit për të rritur standartin dhe cilësinë, por patjetër dhe monitorimin e agjensive të palicensuara.”- shprehet Dritan Leka nga Century 21.

Sipas tij, është arritur të prodhohet një ligj, i cili në shumë aspekte përmirëson standardin dhe sigurinë në sektor, por gjithashtu që me hapat e kohës ligji do ketë sërisht nevojë për përmirësim, për ta bërë zbatimin e tij sa më të mundshëm në realitet.

“Një nga debatet kryesore ka qenë marrja e licensimit dhe disiplinës në sektor nga Ministria duke i hequr sektorit të drejtën e vetrregullimit të cilën me sukses palët aktore në treg e kanë bërë deri më tani. Pra, Shoqata dhe aktorët në treg do të kërkojnë në vitet në vazhdim një vetërregullim ndërmjet dhomës së tyre, një formë të ngjashme me dhomën e Avokatisë duke insistuar me ngulm që sektori të jetë i lirë ashtu si në vendet e zhvilluara perëndimore.”- shprehet për gazetën “Si” Leka.

Ai gjykon se Ligji gjithashtu ka nevojë për shtim të elementëve që do të përmirësonin luftën kundër Pastrimit të Parave.

Një kriter, shpjegon ai,  që mund të përmirësojë shumë në këtë luftë është vlerësimi i detyrueshëm i pronave nga profesionistë vlerësues përpara aktit të shit/blerjes.

“Nëse vlerësimi bëhet i detyrueshëm atëherë DPPP dhe gjithë istitucionet kontrolluess kanë një element shtesë kontrolli, i cili i bashkangjitet çmimit të referencës. Nëse vazhdohet punohet vetem me çmime reference, mundësia për abuzime do të jetë gjithnjë aty sepse çmimet e referencës duan vite të reflektojnë vlerën e tregut, dhe si zakonisht kur e reflektojnë çmimet e referencës, vlera e tregut ka ndryshuar sërisht.”- sqaron Leka.

 Vendosja e një vlerësimi të detyrueshëm të pronës në momentin e shit/blerjes, do i jepte sipas tij, mundësi DPPPP apo istitucioneve të tjera të shikonin më shpejtë dhe më saktë disbalancat kur ka dhe ti investigonin ato.

Kjo e fundit, sipas Lekës, do të prodhojë një kosto minimale 0.1%-0.2% të vlerës së shitjes së pronës, por do të ishte më efektive sepse rriteshin elementet e kontrollit gjatë shkëmbimit të pronave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë