Para

Qeveria jep 2.1 mld lekë për pensionistët dhe nënat e vetëpunësuara

Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion 2,1 miliard lekë për pensionistët, nënat e vetëpunësuara në bujqësi, etj për t'i ndihmuar në këtë situatë krize shëndetësore dhe ekonomike.

Janë gjithsej 682 mijë e 800 përfitues në total.

Pensionet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave do të indeksohen në masën 2,3%.

Rritjen 2.3% e përfitojnë të gjithë personat që marrin pension invaliditeti, familjar, të parakohshëm dhe ata që kanë punuar në punë të vështira e industri të rënda.

Financat sqarojnë se indeksimi i pensioneve është bazuar në përllogaritjet e shtesës së indeksit të çmimeve për vitin 2019 ndaj 2018-s, projekti parashikon rikuperimin total të efekteve negative të rritjes së çmimeve të mallrave e shërbimeve të shportës së pensionistëve.

“Evidentojmë faktin se, ndërsa ndryshimi i indeksit mesatar të çmimeve për gjithë popullatën është 1,4 %, indeksimi i pensioneve është bazuar në ndryshimin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të shportës të pensionistëve, ku pesha specifike më e madhe i adresohet zërit ushqime dhe pije jo alkoolike”, shpjegojnë më tej financat.

Nga rritja e pensioneve përfitojnë në total 669 mije e 500 pensionistë. Po ashtu nga shuma totale prej 2,1 mld lekë përfitojnë mbi 12 mijë nëna të cilat janë të vetëpunësuara në sektorin bujqësor e që përfitojnë barrëlindjen dhe 14 mijë përfitues të ardhshëm, duke e çuar në total numrin e përfituesve në 682 mijë e 800 persona.

Sipas vendimit, pagesat me shtesat e rritura do të nisin të aplikohen që në muajin prill të këtij viti.

Efektet financiare në buxhetin e shtetit:

• Efekti financiar për 543 mijë e 500 individë që marrin pension qyteti është 1.73 miliardë lekë;

• Shuma që shtohet nga buxheti për 121 mijë e 200 pensionistë në fshat është 214.3 milion lekë;

• Shtohen në buxhet 3.2 milion lekë për 2.600 pensione sociale;

• Shtohen 10.3 milionë lekë për rritjen e shpërblimeve të nënave me leje barrëlindje në fshat;

• Shtohen 117.7 milionë lekë për rritjen e pensioneve të parakohshme dhe suplementare të ushtarakëve, policisë, ish- punonjësve të minierave, industrisë së naftës dhe metalurgjisë, një pjesë e të cilëve janë në proces të llogaritjeve dhe të marrjes së përfitimeve për shkak të zbatimit të ligjit nr. 29/2019, për përfitimet e punonjësve të profesioneve të vështira .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë