Gazeta Si – Këshilli i Ministrave ka dorëzuar zyrtarisht pranë Gjykatës Kushtetuese parashtrimet ligjore që mbështesin vendimin për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Në dokumentacionin e depozituar, theksohet se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar më 23 shtator 2025 vendimin nr. 69, pas konstatimit të pamundësisë fizike të Veliajt për të ushtruar detyrën që prej 10 shkurtit 2025.
Kjo pamundësi, sipas parashtrimeve, lidhet me masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur ndaj tij, e cila është konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat, pavarësisht kërkesave për zëvendësim me një masë më të butë.
Në relacionin e Këshillit të Ministrave, theksohet se mungesa e zgjatur e Veliajt në detyrë për më shumë se tre muaj përbën shkak të ligjshëm për shkarkim, në përputhje me nenin 62, shkronja “c” të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
“Fakti juridik i pamundësisë për ushtrimin e funksionit publik është i qartë dhe i padiskutueshëm”, thuhet në dokumentin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Madje theksohet fakti që mungesa e Veliajt në detyrë ka ngritur shqetësimin e këshilltarëve bashkiakë mbi “dëmin e rëndë” që kjo i shkakton nevojave të qeverisjes së kryeqytetit dhe interesit të qytetarëve të Tiranës.
Të gjendur në këto kushte, thuhet se nuk mund të neglizhohej nga qeveria vullneti i anëtarëve të Këshillit Bashkiak: “Këshilli Bashkiak ka propozuar shkarkimin, si rruga e vetme ligjërisht e mundshme në dorën e tij me qëllim fillimin e procedurave të mëtejshme, për të rikthyer normalitetin qeverisës në Bashkinë Tiranë. Ky vullnet politik dhe ligjor i përfaqësuesve të zgjedhur të Kryeqytetit nuk mund të neglizhohet dhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë alternativë tjetër, veçse të finalizojë procedurën ligjore të shkarkimit”.
Një ditë më parë, ishte Presidenca që çoi në Kushtetuese parashtrimet e saj, duke e quajtur arbitraritet pezullimin e dekretit dhe i kërkoi Kushtetueses ta heqë dhe të shpallë zgjedhjet në Tiranë.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakoshme të Tiranës.
Vendimi i Kushtetueses erdhi pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit të shpallej i paligjshëm, pasi shkarkimi i tij tashmë është një cështje në duart e kësaj Gjykate.
Më 31 tetor, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën e parë publike për të shqyrtuar shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt nga Qeveria, me propozimin e Këshillit Bashkiak.
Nëse Gjykata Kushtetuese e miraton shkarkimin e tij, hapet rruga për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e ri të Bashkisë Tiranë në 9 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



