Politike

Qeveria i boton Metës dekretin për Muçin: Në detyrë si anëtar, deri sa të zëvendësohet

Lufta mes qeverisë dhe presidencës vazhdon edhe me botimet e dekreteve në Fletoren Zyrtare. Qendra e Botimeve Zyrtare ka miratuar dekretin e presidentit Meta për shpalljen e vakancës së krijuar për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar kështu të shkarkuar nga detyra të anëtarit Besnik Muçi, pas vendimit më të fundit të dhënë nga procesi i Vettingut për përjashtimin nga sistemi i drejtësisë.
Dekreti i Metës është botuar në fletoren e sotme zyrtare dhe njëherësh njoftohet shpallja e vakancës së krijuar me përjashtimin nga sistemi i drejtësisë të Besnik Muçit. Gjithashtu po në të njëjtën Fletore Zyrtare është botuar edhe njoftimi i presidentit Meta për thirrjen e aplikantëve për vend vakant të hapur.

Dekreti i botuar në Fletoren Zyrtare dhe njoftimi për shpalljen e vakancës. Gazeta "Si", 25 nëntor 2019

Sipas kërkesës së shpallur nga ana e presidentit Meta afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur, është data 20 dhjetor 2019. Vendimi i Komisionit të Posaçëm të Apelimi për shkarkimin e Besnik Muçi u shoqërua me disa pretendime nga vetë i caktuari si anëtar, i cili deklaroi se nuk ka efekt ndaj tij, pasi kishte ndërruar status dhe se periudhe e vettingut ishte për kohën kur kishte qenë prokuror dhe se tashmë është anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Por kjo u kontestua nga KPK-ja, e cila në diapozitivin e vendimit saktësohej se Muçi është anëtar i Gjykatës. Vetë presidenti për këtë konflikt pati një takim me anëtarin Muçi, i cili i ishte drejtuar me anë të një letre iu drejtua Gjykatës për të shprehur qëndrim nëse e gëzonte statusin e gjyqtarit ose jo. Ndërkaq ky institucion u shpreh qartë duke ia hequr emrin nga lista e anëtarëve në faqen zyrtare dhe duke kërkuar listuar nga e para emrat e anëtarëve të Gjykatës që do të bëhen pjesë e shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësisë.

Por presidenti në njoftimin për shpalljen e garës për vendin anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ka bërë edhe një sqarim se pavarësisht se Muçi është i larguar nga detyra ai duhet të qëndrojë në detyrë. “Sqarim. Në zbatim të nenit 127, pika 3, të Kushtetutës dhe nenit 7/dh, pika 2, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, kandidati që do të përzgjidhet për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për plotësimin e vakancës së parakohshme të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit ish-gjyqtarit Besnik Muçi, do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar”, thuhet në njoftimin e presidentit Meta.
Presidenca ka lajmëruar që brenda 5 dhjetorit kreu i shtetit do të hedhë shortin për pëbërjen e re të Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë. Pritet të jetë KED-ja e re që do të kryejë përzgjedhjen e pikëzimin e anëtarëve për këtë gjykatë, për të cilën duhet të zgjidhet nga presidenti.
Por ndërkohë qeveria po mban të bllokuar dekretin e presidentit për caktimin e Marsida Xhaferllarit, duke mos e botuar në Fletoren Zyrtare. Mazhoranca ka dalë kundëër këtij emërimi, duke theksuar se presidenti tejkaloi afatet dhe se për këtë Arta Vorpsi është anëtarja e re Kushtetueses. Por kjo kontestohet nga Meta, por edhe vetë Gjykata Kushtetuese nuk e ka njohur Vorpsin si anëtare, por vetë Xhaferllarin që ka bërë betimin përpara presidentit. Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka katër anëtar, Marsida Xhaferrllari ( e zgjedhur nga Presidenti), Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji (të zgjedhur nga Parlamenti) dhe Vitore Tushaj,e vetmja anëtare që kaloi procesin e Vettingut. Gjykata Kushtetuese ka gjithsej 9 anëtare, por që të jetë në funksion të plotë nevojiten të paktën 6 anëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë