Financa Personale

“Qep maska për të fituar bukën”

Drita ka dalë për pazar dhe në një qeskë të vogël bart disa maska që i ka qepur vetë.

Në kthesë të pallatit sheh fqinjin e vetë që ka mbi fytyrë një maskë të thjeshtë ngjyrë bojqielli të blerë në farmaci.

“Pse nuk e ke marrë tek unë maskën, por në farmaci? Këtë maskën që qep unë ta lan gruaja, ta than, ta hekuros dhe e vendos sa herë të duash, kurse këtë të farmacisë do ta vendosësh sot e do ta hedhësh”,- i drejtohet Drita fqinjit me të cilin ka afrimitet mjaftueshëm për tiu drejtuar në këtë mënyrë.

Rrobaqepëse Drita

Kur shoh njerëz pa maska, thotë ajo, ua ofroj. ‘100 lekë copa i shes dhe janë shumë përdorimshe. Ato që blihen në farmaci janë një përdorimshme dhe kushtojnë njësoj’.

Drita është një zonjë tek të 50-at. Ajo është e divorcuar prej disa vitesh dhe ka tre djem për të rritur vetë sepse ish-bashkëshorti nuk kontribuon për kujdesin e tyre.

Djali i madh punonte deri përpara urdhrit të izolimit të vendit dhe menjëherë më pas e larguan nga listpagesat sepse biznesi ku punonte u mbyll.

Dy djemtë e tjerë janë në shkollë, aktualisht në shtëpi për shkak të karantinimit.

Drita është me profesion rrobaqepëse dhe ka një dyqan të vogël në një nga lagjet e Tiranës ku është e vetëpunësuar.

Ajo tregon për gazetën “Si’ se puna kishte nisur të binte që prej ngjarjes së tërmetit, në fundnëntor të vitit të kaluar, por gjithsesi, situata sikur nisi të frymëmerrte.

“Por tani nuk ka shpresë, edhe pse unë jam njeri që vetëm qesh dhe shumë optimiste”- thotë Drita.

Ajo është specializuar në qepjen e perdeve dhe mbulesave të divaneve dhe këndeve, si për familje, ashtu edhe për biznese.

“Ndërsa nga nëntori e përpara unë kisha radhë, kush të vinte të sillte porosi më parë si nga lokalet, restorantet e familjet, tani nuk vjen njeri, Tani as fqinjët nuk trokasin për meremetime të vogla 200 lekëshe si kthime pantallonash. Kush mendon në  këtë kohë krize të madhe për të qepur perde e mbulesa divanësh. Këto janë luks tani. Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë ndonjë krizë kaq të madhe. Ndodhi tërmeti, mjerë kush e hoqi në kurriz, por mbaroi aty dhe jeta rifilloi, por tani nuk i dihet asgjë. Tani njerëzit mendojnë vetëm për bukën e gojës dhe unë dua të mbijetoj që të ushqej dhe çunat.”- shpjegon Drita e cila prej pak më shumë se një javë e ka drejtuar punën e saj tek qepja e maskave.

Materiali është pambuk dhe mbajtëset llastik. Çmimi është 80 lekë me shumicë dhe 100 lekë  me pakicë.

“Me të njohur e kam marrë copën se tani është bllokuar gjithçka dhe nuk shkon dot në treg. Kam marrë shumë copë, që edhe po mbeti punë e madhe. Në fillim kisha vështirësi për llastikun se është specific, por gjeta edhe llastik. Lëvizja me sakrificë sepse nuk më duhet gjoba. Për tu ushqyer dal, se për qejf nuk të shkon mendja në këtë kohë. Edhe kur lëviz për pazar apo për nevoja të tjera të domosdoshme, marr disa copë me vete dhe ua ofroj njerëzve”- thotë Drita.

Maska prej pambuku që qep Drita

Rrobaqepsja sugjeron se këto maska vlejnë edhe për ata që qendrojnë 8 orë në punë. Një maskë që qep Drita reziton deri në dy orë. Një person, sugjeron ajo, mund të blejë 4 maska, i lan, i than, i hekuros dhe i ka për çdo ditë në punë.

Ajo po mendon që të bëj edhe maska me filtër, “por është shumë vështirë të gjendet filtra në këto kohë, kur lëvizja është kufizuar shumë dhe gati është e pamundur që të sillesh për të kërkuar cepave produktet që nuk gjenden”

Drita tregon se deri tani ka punuar me porosi dhe do të vazhdojë në këtë mënyrë sepse nuk ka alternativë tjetër për të siguruar bukën e saj dhe të të tre djemve.

Më Shumë