Arsim

Qëndresa Qytetare: Universiteteve u ikin 8 studentë çdo ditë, 3 mijë në vit

Gazeta Si - Qëndresa Qytetare bashkë me studentët kanë organizuar ditën e mërkurë një protestë përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kundër mbylljes së degëve të studimit në universitetet publike të vendit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Gevio Tabaku, përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, gjatë 4 viteve të fundit janë larguar mesatarisht 8 studentë në ditë, ose rreth 3000 studentë në vit nga universitetet publike, të cilat po boshatisen çdo ditë e më shumë.

“Rënia e cilësisë së arsimit publik ka bërë që regjistrimet të ulen 11.3%, kjo shifër vetëm në 3 vitet e fundit. Nëpërmjet vendimmarrjeve politike të cilat sistematikisht janë marrë pa analizë, sot nuk ka asnjë tregues që këto vendimmarrje të kenë përmirësuar arsimin, përkundrazi ato kanë penalizuar të rinjtë shqiptarë”, tha Tabaku.

Ai shtoi se 35 Programe të cilat tashmë janë braktisur nga studentët do ti ofronin atyre një bursë mujore në vlerën e pagës minimale.

“Pse nuk del askush nga autoritet të na tregojë cili është rezultati i kësaj politike, përse kjo ministri nuk prodhon asnjë statistikë, pse nuk dalin rezultatet e Sondazhit të Studentëve?” tha Tabaku.

Ai shtoi se bazuar tek të dhënat e poralit UAlbania, “i cili ka detyrimin të publikojë dhe bëjë transparent regjistrimet në universitetet e vendit, 71.6% e programeve prioritare rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal prej 10 studentësh”.

Ndërkohë studentët vijojnë të orientohen drejt programeve të studimit që shërbejnë si “pasaportë” për të emigruar.

“Në programin e studimit “Infermieri” janë ezauruar 92% e kuotave”, tha Tabaku.

Kjo protestë u organizua si një funeral i degëve që po mbyllen.

“Qëndresa Qytetare shpreh shqetësimin mbi këtë situatë, të braktisjes, rrënimit dhe pakësimit të universiteteve publike, ku me këto ritme, pas 20 vitesh Shqipëria do të jetë vendi i vetëm në botë ku nuk do të ketë nevojë për Ministri Arsimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë