Lajme

Qendra e ankandit të peshkut në liqenin e Shkodrës, frenohet gjuetia e paligjshme

Është inaguruar sot (të shtunën) qendra e ankandit të peshkut në liqenin e Shkodrës, e cila prej ditës së hënë do të vihet në funksionim.

Investimi me vlerë rreth 4.5 milionë lekë është kryer me fondet e vetë Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Shkodër.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi, i cili  pa nga afër mjediset e reja të kësaj qendre, e vlerësoi atë si një tjetër investim të domosdoshëm për Shkodrën duke thënë se “Kjo qendër synon të disiplinojë produktet peshkore që nxirren nga liqeni për të dalë në treg në mënyrë që të kemi një përfitim maksimal për peshkatarët e ligjshëm dhe t’i vëmë fre atyre që gjuajnë në mënyrë të paligjshme. Ky është një instrument tjetër për të ndalur peshkimin e paligjshëm në liqenin e Shkodrës. Edhe masa që ne morëm duke i targuar varkat një vit më parë kanë dhënë rezultat. Targimi i varkave ka qenë një veprim i duhur. Tani nëpërmjet këtij sistemi më vjen mirë që dëgjoj që gjuetia e paligjshme është minimizuar dhe pothuajse nuk ekziston”, u shpreh ministri Çuçi

Sipas tij ngritja e qendrës së ankandit të peshkut në Shirokë do të shërbejë gjithashtu edhe si një atraksion turistik për ata që vizitojnë këtë zonë. Kjo qendër plotëson të gjitha standardet e sigurisë ushqimore si dhe pajis peshkun me çertifikatë origjine nga liqeni. Gjithashtu u jep mundësi peshkatarëve që të vendosin vetë çmimin e peshkut duke shmangur abuzimet nga ana e tregtarëve.

Ngritja e kësaj qendre do të formalizojë më tej sektorin e peshkimit në liqenin e Shkodrës, ku ushtrojnë aktivitet rreth 450 peshkatarë, si dhe do të ofrojë të dhëna më të sakta për prodhimin. Me ndihmën e Ambasadës Hollandeze në këtë qendër është hapur edhe një dyqan për gratë që punojnë aty në kuadër të një ndërmarrjeje sociale.

Më Shumë