Financa Personale

Që pas pandemisë familjet shqiptare ulën shpenzimet për konsum dhe shtuan ato për pajisje

Nga Gazeta ' SI' - Instat raporton se që nga pandemia, tendencat e shpenzimeve konsumatore në Shqipëri kanë ndryshuar, si për ato bazike ashtu edhe për blerje më të mëdha.

Në vitin 2022, shpenzimet për ushqime, pije joalkoolike dhe duhan ranë në nivel kombëtar dhe rrjedhimisht pesha e tyre në shpenzimet totale u ul. Në Dibër, Shkodër dhe Elbasan këto shpenzime zinin pothuajse 50% të shpenzimeve mujore, që ishte vlera më e lartë. Në Tiranë ky raport është më i vogël se 40%. Sipas hartës së Instat, sa më larg qendrës, aq më i lartë ky tregues, lidhur kjo edhe me të ardhurat më të ulëta.

Për sa i përket shpenzimeve në nivel qarku sipas nivelit të arsimit të kryefamiljarit, vihet re që shpenzimet më të larta janë regjistruar në kategorinë e kryefamiljarëve me arsim të lartë apo pasuniversitar, që kanë edhe paga më të larta, në qarqe si Tirana, Durrësi etj. Në qarqet më të varfra, kanë shpenzime më të madhe familjet me kryefamiljarë me arsim 8/9 vjeçar.

Niveli i jetesës

Familjet në Shqipëri zotërojnë më së shumti pajisjet afatgjata kryesore si: televizorë, frigoriferë, lavatriçe, boilerë apo hekur për hekurosje (më shumë së 95% e NjEF-ve). Por edhe këtu, ka një tendence që ka ndryshuar për shkak të zhvillimeve, si psh mikrovalë, panele diellore, kondicionerë apo pajisje me shumë funksione. Më shumë se 75% e familjeve shqiptare zotërojnë pajisje me shumë funksione, tregues i cili ka pësuar rritje.

Burimet kryesore të ngrohjes në familjet shqiptare për vitin 2022 janë drutë e zjarrit dhe qymyri 50%, ndjekur nga energjia elektrike 46% dhe gazi 4%. Vende si Tirana dhe Vlora përdorin energjinë elektrike si burim kryesor të ngrohjes, Durrësi gazin ndërsa vendet më në veri, qymyrin dhe drurin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë