Bota

Putin shtetëzon filialin e ‘Ariston’-it, Italia thërret për sqarime ambasadorin rus në Romë

Gazeta Si - Ministri i Jashtëm Antonio Tajani thirri ambasadorin rus në Itali për të “kërkuar sqarime për çështjen e shtetëzimit të Ariston Thermo Group”.

Titullati i institucionit italian ka shkruar në “X”, duke shtuar: “Po punojmë edhe me Brukselin, në ndërlidhje me Gjermaninë”.

Lëvizja vjen pasi filialet ruse të “Ariston” dhe “Bosch” u transferuan përkohësisht në grupin “Gazprom”.

Zëvendëskryeministri italian sqaron: "Pas vendimit të papritur të Kremlinit, aktivizova menjëherë ambasadën tonë në Rusi dhe fola me drejtuesit e lartë të kompanive italiane. Qeveria jonë është në krah të kompanive, e gatshme t'i mbrojë në të gjitha tregjet ndërkombëtare".

Ishte presidenti rus Vladimir Putin ai që nënshkroi dekretin për transferimin e filialeve ruse të dy kompanive italiane dhe gjermane në “Gazprom Domestic Systems”, kompania e grupit shtetëror “Gazprom” që prodhon pajisje shtëpiake, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”.

Dekreti i postuar në portalin zyrtar për informacion ligjor, ka të bëjë me “Ariston Thermo Rus Llc”, të kontrolluar nga “Ariston Holding” dhe “Bsh Household Appliances Llc”, të kontrolluar nga “Bsh Hausgerate Gmbh”. Arsyet e vendimit nuk janë bërë të ditura.

Vitin e kaluar, Putin nënshkroi një dekret tjetër për transferimin e përkohshëm të menaxhimit të filialeve ruse të “Danone” dhe “Carlsberg” në Agjencinë Federale për Menaxhimin e Pronës, “Rosimushchestvo”.

Masa u miratua pasi kompanitë franceze dhe daneze kishin shpallur synimin e tyre për të dalë nga tregu rus.

98.56% e aksioneve të fabrikës ruse të birrës “Baltika”, që i përkasin “Carlsberg” dhe dhjetëra mijëra aksione që i përkasin “Danone”-s, u vendosën nën kontrollin e agjencisë.

Megjithatë, në rastin e “Ariston” dhe Boch”, menaxhimi i kalon “Gazprom”-it, një grup tjetër industrial, megjithëse i kontrolluar nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë