Bota

Putin pret Assadin në Moskë, kritikon SHBA-në dhe Turqinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, priti udhëheqësin sirian, Bashar al-Assad, në Moskë për herë të parë që nga viti 2015.

Sipas një njoftimi të Kremlinit, Putin ka kritikuar forcat e huaja që janë në Siri pa një mandat të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një referim i bërë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë.

Putini ka qenë aleati më i fuqishëm i Asadit në konfliktin dhjetëvjeçar sirian.

Mbështetja ushtarake ruse, përfshirë forcat ajrore, u vendos atje në vitin 2015 dhe ndihmoi regjimin sirian të rimarrë kontrollin e një pjesë të madhe të territorit nga kryengritësit.

Megjithatë, pjesë të rëndësishme të Sirisë mbeten jashtë kontrollit shtetëror, pasi forcat turke janë të vendosura në pjesën më të madhe të veriut dhe veriperëndimit - bastioni i fundit i madh i rebelëve anti -Assad.

Forcat amerikane janë të vendosura në lindje dhe verilindje të kontrolluar nga kurdët.

Regjimin e Assadit e ka mbështetur edhe Irani. Vetë udhëheqësi sirian ka bërë pak udhëtime jashtë vendit që nga fillimi i luftës më 2011.

Putin i ka thënë Asadit se forcat e huaja në Siri, të cilat qëndrojnë pa një vendim të OKB -së, ishin një pengesë për konsolidimin e tij.

"Qeveria siriane e kryesuar nga ju kontrollon 90% të territoreve. Terroristët pësuan dëme shumë serioze", ka thënë Putin, sipas një deklarate të Kremlinit.

Ndërsa Assad lavdëroi atë që ai e quajti suksesin e ushtrive ruse dhe siriane në "çlirimin e territoreve të pushtuara" të Sirisë.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, fuqizuan sanksionet kundër Sirisë, duke thënë se ato kishin për qëllim të detyronin Assadin të ndalonte luftën dhe të binte dakord për një zgjidhje politike. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë