Bota

Putin: Perëndimi ‘shtrembëroi’ marrëveshjen e eksportit të grurit

Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi Perëndimin për “shtrembërim” të marrëveshjes së eksportit të grurit të Detit të Zi por siguroi se Moska do t’i rikthehet menjëherë asaj nëse përmbushen kërkesat e saj.

“Ne do të shqyrtojmë mundësinë e kthimit (në marrëveshje), por me një kusht: nëse ato merren parasysh dhe zbatohen, pa asnjë përjashtim”, tha Putin para kabinetit, takimi i të cilit u transmetua në televizion.

Ai shtoi se zgjatja e marrëveshjes nuk kishte kuptim, duke akuzuar Perëndimin se e përdor atë si një mjet “shantazhi politik”.

“Në vend që të ndihmonte vendet në nevojë reale, Perëndimi e përdori marrëveshjen për shantazh politik dhe e ktheu atë në një mjet për pasurimin e shumëkombësheve, spekulatorëve në tregun botëror”, tha ai.

Autoritetet ruse më 17 korrik kanë konfirmuar se nuk do të zgjasin marrëveshjen për të lejuar eksportin e grurit në Detin e Zi.

Marrëveshja, e cila u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia ka garantuar sigurinë e anijeve me grurë që shkojnë drejt dhe nga portet ukrainase përmes ujërave që kontrollon Rusia që kur u nënshkrua në korrik të vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë