Bota

Putin pas takimit me Biden: Do të rikthejmë diplomatët e dëbuar

Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një konference shtypi në Gjenevë pas takimit të tij me Joe Biden, i ka quajtur bisedimet “shumë konstruktive” duke theksuar se nuk kishte “armiqësi.”

Në samitin, i cili është planifikuar të jetë pjesa e fundit e udhëtimit të Biden në Europë, dy presidentët diskutuan çështjet kryesore në marrëdhëniet dypalëshe dhe temat për agjendën ndërkombëtare.

Putin thotë se të dy palët kanë rënë dakord të kthejnë diplomatët e dëbuar nga vendet e njëri-tjetrit. Kështu, ambasadorët e SHBA dhe Rusisë do të kthehen në postet e tyre diplomatike.

Se kur pritet të ndodhë kjo, është vetëm një çështje “teknike” sipas Vladimir Putin.

Presidenti rus gjithashtu theksoi se kishin diskutuar për Ukrainën që ndoshta të bashkohej me aleancën e NATO-s.

Dy homologët janë ndalur edhe tek sulmet kibernetike. Putin tha se Rusia kishte dhënë informacion të plotë për SHBA mbi këto sulme të pretenduara por SHBA nuk ishte përgjigjur.

I pyetur mbi udhëheqësin e ndaluar të opozitës Alexei Navalny, Putini bëri thirrje për mbulim të paanshëm mbi incidentin.

“Ky person e dinte që po shkelte ligjin ekzistues në Rusi dhe ai është një shkelës i përsëritur.

“Ai e dinte mirë se ishte në kërkim, por megjithatë u kthye në Rusi dhe ai qëllimisht donte të arrestohej”, vijoi presidenti rus.

Takimi i 16 qershorit mbahet vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se homologu i tij rus është një vrasës. Vlen për tu theksuar që, që nga betimi si president në muajin janar, Biden ka vendosur dy raunde sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

Presidenti rus e përshkroi Biden si “burrë shteti me përvojë” dhe shtoi se ai është shumë ndryshe nga Presidenti Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë