Lajme

Putin në Serbi kur diskutohet ndryshimi i kufijve

Ndërkohë që “vëllai” i tij i vogël nga Ballkani po mundohet të hartojë një marrëveshje për ndryshimin e kufijve me Kosovën, Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të vizitojë Beogradin muajin e ardhshëm.

Vizita e shefit të Kremlinit vjen pasi Aleksandër Vuçiç pushtoi titujt e mediave perëndimore, duke njoftuar se ishte në favor të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe pse kancelarja gjermane Angela Merkel ka refuzuar disa herë këtë lojë, ambasadori i Rusisë në Beograd tha se Moska do të mbështeste arritjen e një pakti të kënaqshme për palën serbe. Vuçiç ka deklaruar disa herë nga ana tjetër se mbështetja e Rusisë, aleatit më të rëndësishëm të qeverisë së tij, është vendimtar për çdo marrëveshje.

“Moska do të dërgojë në Beograd qindra biznesmenë dhe zyrtarë qeveritarë muajin e ardhshëm, për takime të rëndësishme që do të përcaktojnë planet e investimeve ruse në Serbi për vitet e ardhshme”, raportoi “ Tanjug”, të martën, duke cituar ambasadorin rus Aleksander Chepurin.

Ambasada ruse në Beograd konfirmoi mënjëherë raportet, por nuk pranoi të përcaktonte datat për vizitën e Putinit. Kjo do të jetë vizita e tij e katërt në Serbi brenda 17 vitesh. Vuçiç e ka ulur Putinin si aleatin kryesor në tavolinën e tij, ndërkohë që po mundohet të ruajnë ekuilibrin mes miqësisë me Rusisë dhe aleancës me BE-në. Por ndryshe nga Perëndimi, Rusia është aleatja më e vyer e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës. Vladimir Putin ka akuzuar vazhdimisht Europën dhe Shtetet e Bashkuara për standarde të dyfishta, duke përmendur të gjitha rajonet separatiste që kërkojnë pavarësinë dhe duke e konsideruar pavarësisë së Kosovës si “të paligjshme dhe imorale”.

Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin 

Rusia kundër Kosovës

Dy muaj më parë, ambasadori rus në Serbi ka njoftuar se vendi i tij do të përfshihet edhe më thellë në zgjidhjen e “problemit” të Kosovës. Në një opinion të pashembullt, në gazetën serbe “Politika”, Aleksandër Chepurin shkruante ndër të tjera se “Krimeja është Rusi dhe se Kosova është Serbi!”

Shkrimi, i publikuar me rastin e Ditës së Rusisë, sinjalizonte edhe njëhere se edhe pse kanë kaluar 10 vite, Rusia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e shtetit të Kosovës, ashtu siç Moska nuk arriti ta pranonte kurrë Krimenë si pjesë të Ukrainës. Madje sipas ambasadorit Chepurin, Beogradi përballet me “presion ultimatum nga armiqtë tradicionalë serbë” sa herë që bie fjala për Kosovën. Por ai thekson se Rusia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në anën e Serbisë.

“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar, ne do të mbështesim çdo vendim që Serbia dhe populli serb do ta konsiderojnë të pranueshme për veten e tyre”, shkuante ndër të tjera ambasadori rus. Ai vuri në dukje se janë duke u hequr një sërë paralelesh midis Kosovës dhe Krimesë, por sipas tij të dyja vendet kanë histori krejtësisht të ndryshme, pasi Krimeja u nda nga Ukraina në përputhje me Deklaratën e OKB-së të vitit 1970.”

Aleksander Chepurin dhe presidenti serb

“Çështja e Krimesë është e mbyllur në mënyrë përfundimtare. Krimeja është Rusi dhe Kosova është Serbi. Nuk është thjesh një slogan, është një realitet ligjor që duhet respektuar”, shkruante Chepurin. Vetëm pak muaj më parë, Presidenti Putin bëri një tjetër paralelizëm të ngjashëm midis Kosovës dhe Katalonjës, duke akuzuar Bashkimin Europian për standarte të dyfishta pasi aprovoi pavarësinë e Prishtinës, por nuk njihte shkëputjen e rajonit spanjoll.

Sipas ekspertëve perëndimorë, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajore amerikane, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ekspertët shprehen se humbja më e madhe e Rusisë do të ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe anëtarësimi i rajonit në BE. Arritja e një kompromisi jo vetëm që do të lejonte serbët dhe shqiptarët të fillonin të shëronin plagët e vjetra, por gjithashtu do të hapte rrugën bashkëpunimit ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, i cili nuk është parë që nga Mesjeta. Arritja e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës do të zvogëlonte varësinë e Serbisë nga Rusia, duke sjellë kështu edhe dobësimin e ndikimit rus në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë