Bota

Putin kërcënon: Perëndimi po rrezikon luftë bërthamore. Armët tona mund t’iu arrijnë!

Gazeta Si - Operacioni special ushtarak që Rusia po kryen në Ukrainë për dy vjet "është një luftë e drejtë për sigurinë dhe sovranitetin" e Moskës, tha presidenti rus Vladimir Putin, duke iu drejtuar Asamblesë Federale Ruse në atë që, sipas zëdhënësit të tij, Dmitry Peskov mund të konsiderohet një mesazh elektoral në funksion të zgjedhjeve presidenciale në mes të marsit.

Moska, nënvizoi Putin, "nuk do të lejojë askënd të ndërhyjë në punët e saj të brendshme". Ndër të tjera, shtoi ai, "shumica absolute e rusëve mbështesin operacionin special ushtarak" dhe "luftëtarët e dinë se i gjithë vendi është me ta".

Për më tepër, sipas presidentit rus, "Perëndimi donte të bënte me Rusinë njësoj siç bëri me Ukrainën, për të sjellë mosmarrëveshje dhe për ta dobësuar atë nga brenda, por e llogariti gabim".

Në Ukrainë, “Forcat e Armatosura Ruse po përparojnë me besim në drejtime të ndryshme”, shtoi ai, duke nënvizuar se “aftësitë luftarake të Forcave të Armatosura Ruse janë rritur shumë”.

Gjatë fjalimit të tij, Putin lëshoi një paralajmërim të fortë, duke iu drejtuar Perëndimit. “Edhe ne kemi armë në gjendje për të arritur në territoret tuaja. Ata u përpoqën të luftonin Rusinë në të kaluarën, por tani pasojat do të jenë shumë të rënda", shtoi Putin, duke deklaruar se megjithatë është "marrëzi" të thuhet se Moska dëshiron të sulmojë Evropën.

Sipas tij, “Rusia nuk e filloi këtë luftë, por ne do të bëjmë gjithçka për të zhdukur nazizmin, për të mbrojtur sovranitetin e qytetarëve tanë”, deklaroi presidenti.

Sa i takon një lufte të mundshme bërthamore me Perëndimin, Putin kërcënoi: “Gjithçka që po sajon Perëndimi, çon me të vërtetë në kërcënimin e një konflikti me armë bërthamore dhe rrjedhimisht në asgjësimin e qytetërimit”, tha Putin në fjalimin e tij drejtuar kombit.

Më pas, Putin ka kërcënuar qartë NATO-n, se pasojat e vendosjes së trupave aleate në Ukrainë do të ishin "tragjike".

“Ata filluan të flasin për mundësinë e dërgimit të kontingjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë, por le të kujtojmë fatin e atyre që dikur dërguan trupa në territorin e vendit tonë. Por tani pasojat për ndërhyrësit e mundshëm do të jenë shumë më tragjike”, tha Putin gjatë fjalimit të tij për gjendjen e kombit në dy dhomat e parlamentit rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë