Teknologji dhe Inovacion

Punonjësit duan të përdorin Inteligjencën Artificiale që të rriten profesionalisht, por nuk dinë se si

Inteligjenca Artificiale gjeneruese mund t’ju japë një ndihmesë të çmuar, nëse dini ta përdorni.

IA gjeneruese mund të përdoret në mënyra të ndryshme, duke i ndihmuar njerëzit të rriten në karrierë, duke përfshirë kodifikimin, shkrimin, ndihmesë në CV e shumë të tjera.

Megjithatë, për të përfituar prej saj, është e nevojshme, së pari, të dini si ta përdorni, gjë që është pengesë për shumë njerëz.

Salesforce kreu një sondazh te 4 mijë punonjës që punojnë në zyrë, në lidhje me mendimin e tyre për IA dhe rezultatet ishin mjaft pozitive.

54% e punonjësve të anketuar mendon se IA gjeneruese mund t’i ndihmojë të rriten në karrierë.

65% mendojnë se IA gjeneruese do t’i lejojë ata të përqendrohen te një punë më strategjike,

Pavarësisht optimizmit, punonjësit thonë se nuk zotërojnë aftësitë e nevojshme për të përdorur siç duhet IA gjeneruese apo për të përfituar nga kjo teknologji.

62% e të anketuarve deklaruan se nuk zotërojnë aftësitë e nevojshme për të përdorur IA gjeneruese në mënyrë efikase dhe të sigurt.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (53%) deklaruan se nuk dinë se si të përfitonin sa më shumë nga IA gjeneruese.

Në veçanti, 43% e të anketuarve thotë se nuk di se si ta përdorë IA gjeneruese, duke ruajtur të sigurta të dhënat.

Ky është një shqetësim i zakonshëm i përdorimit të IA gjeneruese në punë, pasi IA gjeneruese përdor në përgjithësi të dhënat dhe inputet e përdoruesve për të trajnuar më tej modelet e tyre, gjë që vë në diskutim sigurinë e të dhënave.

Mungesa e aftësive të përshtatshme konfirmohet edhe nga pjesa më e madhe e drejtuesve të sipërmarrjeve (70%) që thonë se ekipet e tyre nuk kanë aftësitë e nevojshme për të përdorur në mënyrë të sigurt IA gjeneruese.

Megjithatë, drejtuesit e biznesit mund të jenë përgjegjës për mungesën e gatishmërisë së anëtarëve të ekipit.

Dy të tretat e punonjësve të anketuar deklaruan se presin që punëdhënësit t’u ofrojnë mundësi trajnimi, por ata nuk u kanë ofruar trajnim mbi këtë teknologji.

Me aftësitë dhe përdorimin e duhur, punonjësit dhe kompanitë mund të rrisin produktivitetin dhe të marrin ndihmë në përmbushjen e qëllimeve të tyre përfundimtare. Megjithatë, kjo kërkon trajnim dhe edukim mbi këtë temë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë